Bylisi ka mbyllur përgatitjet dje dhe më pas ka nisur që të grumbullohet për sfidën që do të zhvillojë sot në orën 16:00 në stadiumin “Adush Muça” me skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës.

Ballshiotët vijnë në këtë sfidë pas disfatës në “Niko Dovana”. Stafi dhe lojtarët kanë zhvilluar edhe analizën postTeuta, nga ku të gjithë kanë premtuar se do të vijë edhe kthesa ndaj kuqebluve, një kundërshtar që është vlerësuar nga Bylisi, por synim janë tri pikët duke qenë se është një sfidë shtëpie.

Në Ballsh është investuar shumë gjatë verës, dhe janë afruar shumë futbollistë cilësorë, vendës dhe të huaj, ndaj edhe pritet që nga sot të nisë kthesa.

Problemet- Nigeriani Beji Antoni është në dyshim për sfidën e sotme. Sulmuesi që ishte vendimtar në sezonin e shkuar dhe sidomos në finalen ndaj shkodranëve u dëmtua në Durrës dhe u detyrua që të lërë fushën e blertë. Ende nuk është rikuperuar 100%, ndaj edhe me shumë gjasa, vetëm para sfidës së sotme, trajneri Dovedan do të vendosë nëse do ta aktivizojë ose jo.

Gjithsesi, në Ballsh alternativat nuk mungojnë, pasi kualitete ka edhe në stol. Trajneri Dovedan pritet që të bëjë edhe ndryshime në 11-shen e parë, ndërsa skuadra ka reaguar mirë në seancat stërvitore të ditës së hënë dhe të martë që janë zhvilluar në qytetin e Ballshit.

Atmosfera- Duke qenë se është ndeshja e parë për këtë sezon, pritet ë të ketë edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh të cilët do të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës. Bylisi rikthehet në Superiore pas katër sezoneve dhe në Ballsh sot presin 3 pikët e para.

Selmani- Beji Antoni nuk është stërvitur me ritëm të plotë, ndërsa trajneri ka punuar intensivisht me pjesën tjetër të skuadrës, ndërkohë që edhe Fisnik Selmani që ka luajtur në Amerikë dhe u prezantua një javë më parë ende nuk është gati për trajnerin Dovedan.