Lajmet që kanë qarkulluar ditët e fundit për një interesim të Vllaznisë për mbrojtësin brazilian të Bylisit Da Silva, janë pohuar edhe nga vetë presidenti i ekipit ballshiot Besnik Kapllanaj. Ai i pyetur në lidhje me këtë çështje është shprehur: “Vllaznia më ka kërkuar kartonin e Da Silvës por nuk do ua jap kollaj atë për vetë mënyrën si ky lojtar është larguar nga skuadra.
Për mbrojtësin brazilian kemi shpenzuar jo pak dhe prandaj vlera e kartonit të tij është 50 mijë euro. Nëse shkodranët duan ta marrin këtë lojtar, e bëjmë me kënaqësi shkëmbimin me një lojtar tjetër. Prandaj do ishim dakord të merrnim Sukajn meqë edhe vlera e kartonit të tij është 50 mijë euro. Nëse lojtari nuk dëshiron të vijë në Ballsh, Vllaznisë i propozojmë edhe një zgjidhje tjetër: Të paguajë 25 mijë euro ose gjysmën e vlerës së kartonit dhe pjesën tjetër, ta kompesojnë me përqindje në rast shitje të tij”. Kjo deklaratë e Kapllanajt për mediat nuk është pritur mirë në Shkodër që kishin menduar një tjetër ofertë për të. Ata kanë qenë dakord t’i japin klubit të Bylisit 50 për qind të vlerës së kartonit në rast shitje të Da Silvës në një klub tjetër nga Vllaznia. Megjithatë ky pakt duket se ka rënë poshtë dhe Vllaznia ndoshta nuk duhet ta ketë më mendjen tek ky lojtar.
shkodrasport.com