Ashtu si në çdo periudhë merkatoje, ballshiotët edhe në këtë sezon pritet të jenë si supermarket për skuadrat e Superiores.

Janë tre lojtarë, të cilët konsiderohen si më të kërkuarit, e madje duket se bisedimet kanë avancuar, sidomos për Abubakar Kamara dhe portierin Renato Beqaj, që shihen si mjaft premtues. Krahas këtyre të dyve, është edhe Aleks Peralta, që ra në sy sezonin e shkuar me paraqitjen mjaft të mirë në Ballsh. Janë 3-4 ekipe elitare, që duan me ngulm tre nga lojtarët kryesorë të Bylisit të sezonit të shkuar.

Në fillim të kësaj jave pritet që të ketë konkretizime. Ballshiotët kërkojnë t’i lëshojnë lojtarët e tyre vetëm për shifra të kënaqshme, sepse ka pasur edhe negociata për huazimin e dy prej tyre. Nëse nuk shiten, ata pritet të konsiderohen pika referimi të skuadrës së sezonit të ardhshëm në Superiore.

STAFI – Ndërkohë, në Ballsh pritet që së shpejti të zgjidhet edhe çështja e trajnerit dhe stafit teknik. Angazhimi i drejtuesve së fundmi ka qenë në tregun e trajnerëve të huaj, por edhe ndonjë emër që ka drejtuar më parë në Ballsh.

E megjithatë, priten zhvillime javën e ardhshme dhe nuk është çudi që edhe ndonjë prej Beqajt, Kamara apo Peralta, shumë shpejt të ndjekë rrugën e Trumçit dhe Xhefersonit. Aktualisht, në Ballsh janë disa nga lojtarët e huaj, afrikanë dhe brazilianë, që kryesisht janë duke zhvilluar seanca në palestër apo po shfrytëzojnë fushën e stadiumit “Adush Muçaj” për vrapime.