Është mbyllur java e 27-të e Kategorisë së Parë dhe Bylisi vijon ecurinë pozitive dhe qëndrimin e palëkundur në krye të klasifikimit, pasi ka fituar me rezultatin 2-0 në shtëpi ndaj Tërbunit, duke u ngjitur matematikisht në Kategorinë Superiore. Ballshiotët janë ngjitur në kuotën e 63 pikëve, 10 më shumë se Korabi i vendit tët të tretë, kur kanë mbetur vetëm 9 pikë në lojë.

Skuadra e Ballshit zhbllokoi rezultatin në minutën e 56’ me Bejin, teksa në minutën e 81’ Camara shënoi golin e dytë për vendasit. Pas kësaj përballjeje Bylis vijon të qëndrojë në krye të Kategorisë së Parë me 63 pikë, teksa Tërbuni renditet në vend të gjashtë me 41 pikë të grumbulluara.

Erzeni ka zhgënjyer, ndërsa është mundur në transfertë nga Lushnja me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i kësaj përballjeje u shënua nga Kolgega, i cili zhbllokoi sfidën në minutën e 15’ dhe i dhuroi tre pikët ekipit të tij. pas këtij raundi skuadra e Shijakut vijon të qëndrojë në vend të dytë me 58 pikë, teksa Lushnja ngjitet në vend të nëntë me 35 pikë të grumbulluara.

Besa dhe Butrinti janë ndarë me nga një pikë, teksa goli i parë i kësaj përballjeje u realizua nga miqtë, që shënuan me Jaupaj në minutën e 81. Megjithatë ekipi i Kavajës nuk e pranoi humbjen dhe barazoi në minutën e 90+4 me Flavio Meçjan. Pas kësaj përballje Besa renditet e teta me 37 pikë, teksa Butrinti qëndron në vend të 13-të me 28 pikë të grumbulluara.

Tomori mori një pikë në transfertë ndaj Besëlidhjes së Lezhës, në një takim që u shoqërua edhe me dy kartonë të kuq (3-3). Golin e parë e shënoi skuadra beratase me Spahiun në minutën e 28’, teksa në të 55-ën Caco dyfishoi rezultatin për miqtë. Minuta e 64’ do të bënte që ekipi i vendasve të mbeste me 10 lojtarë në fushën e lojës, pas daljes me të kuq të Bushit dhe vetëm katër minuta pas këtij episodi Manellari realizoi golin e tretë për Tomorin.

E shpejtë ishte kundërpërgjigja e Danaj që shënoi golin e parë për Besëlidhjen në minutën e 69’, ndërsa në të 76-ën realizoi golin e dytë personal, por edhe për skuadrën e Lezhës. Ndërsa në minutën e 78’ edhe nga Tomori do të dilte me të kuq një lojtar dhe ai ishte autori i golit të dytë, Caco. Në minutën e fundit të takimit erdhi edhe goli i barazimit i shënuar nga Fetaj. Pas kësaj ndeshje Besëlidhja renditet në vendin e 9-të me 36 pikë, teksa Tomori fiton një pozicion, duke u renditur në vend të katërt me 45 pikë.

Burreli ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Vorës, duke shkuar në kuotën e 38 pikëve në vend të shtatë, teksa miqtë renditen të 14-ët me vetëm 20 pikë të grumbulluara. Kjo ndeshje u zhbllokua që në minutën e parë të saj, me golin që u realizua nga Oliveira da Silva. Tashmë ekipi i Vorës “i ka dhënë dorën” Kategorisë së Parë, pasi matematikisht nuk ka më asnjë shpresë.

Pogradeci ka rrëzuar Shkumbinin nga kategoria, ndërsa këtë të shtunë ka fituar thellë me rezultatin 6-0. Golat për vendasit janë realizuar nga Topllari në minutën e 18’ dhe të 66’, Viera në minutën e 23’, Kasa në të 36-ën dhe të 45-ën dhe goli i gjashtë u shënua nga Abazaj në minutën e 84-ët. Pas kësaj përballjeje Pogradeci renditet në vend të 12-të me 31 pikë, teksa Shkumbini “ndahet” nga Kategoria e Parë, pasi kanë mbetur vetëm tre ndeshje dhe matematikisht nuk ka më shpresë.

Maliqi është bërë skuadra e tretë që tashmë ka rënë nga kategoria, ndërsa këtë të shtunë është mundur me rezultatin 1-0 nga Turbina. Goli i vetëm i kësaj përballjeje është realizuar nga Vidal në minutën e 27’, e cili e dërgoi ekipin e tij në kuotën e 34 pikëve, ndërsa renditet në vend të 11-të.

Korabi-Apolonia e mbyllën në barazim pa gola takimin e raundit të 27-të të Kategorisë së Parë dhe aktualisht skuadra e Peshkopisë renditet e treta me 53 pikë, teksa ekipi i Fierit mban vendin e pestë me 45 pikë të grumbulluara.