Milani arriti një tjetër fitore në rrugëtimin për të siguruar një vend në Champions për sezonin tjetër. Në javën e 36-të të Serisë A, në transfertë ndaj Fiorentinës, kuqezinjtë fituan minimalisht 0-1, me gol të Çalhanoglus.
Pjesa e parë pa ekipin e Gatuzos më kërkues, teksa provoi me Suson dhe Çalhanoglun në dy raste, por goli erdhi në minutën e 36-të, pas një kombinimi mes të dyve.
Spanjolli harkoi një top të bukur në zonë, dhe turku Çalhanoglu, me një prekje shumë të lehtë, e shtyu topin drejt rrjetës. Në të dytën, Fiorentina e Montelës nuk ishte dorëzuar, dhe provoi tek porta e Donarumës. Në disa raste, ishte portieri i “Djallit” që e shpëtoi portën e tij nga goditjet e Mirajas apo Kiezës.
Në fund, Milani arriti të merrte një fitore mjaft të vyer dhe tani e sheh veten në vendin e pestë me 62 pikë, vetëm 1 më pak se Interi i vendit të katërt(por që luan të hënën ndaj Kievos), dhe tre më pak se Atalanta që momentalisht gjendet në vendin e tretë.
FT | Fiorentina-Milan 0-1
GOL: / Çalhanoglu 36′