Agim Cana ka shkuar në Gjakovë me projekte gjigante dhe afatgjate. Njëri prej tyre është edhe ndërtimi i një stadiumi të ri të futbollit në Gjakovë.
Sipas tij, kjo është më se e domosdoshme pasi tregon se stadiumin aktual të qytetit e ka gjetur në gjendje të mjerueshme.
“Gjakova ka nevojë për një stadium sikur i sëmuri për ilaçe. Stadiumi edhe dy vjet do të rrënohet ky që është, më mirë po të mos kishte qenë fare.
Por, duhet t’ia dimë kimetin dhe të mirat e këtij stadiumi, një stadium legjendar, një stadium historik. Pas dy vjetëve fillon të ndërtohet stadiumi i ri në Gjakovë”, tregon për “Zërin” ish-futbollisti i FC Prishtinës.
Ai ua ka hapur dyert biznesmenëve që janë të interesuar të jenë pjesë e projektit të nisur nga ai.
“Klubi i ka dyert e hapura për ata që e duan klubin. Klubi nuk është as imi, as i askujt. Kushdo që është i interesuar të na bashkohet kur klubi të bëhet shoqëri aksionare është i mirëseardhur.
Pas një viti e njoh më mirë futbollin, i njoh pak më mirë rrethanat, i njoh pak më mirë gjërat dhe dalëngadalë duhet të përgatitemi për sfidat që na presin”, përfundoi Cana.