Dy javë punë në drejtim të kuqebluve I kanë mjaftuar stafit të ri drejtues të Vllaznisë për të njohur më mirë gjendjen e skuadrës në prag të sezonit të ri futbollistik. Konkluzioni I nxjerrë prej tyre është se duhet ende punë dhe për më tepër, edhe disa lojtarë cilësorë në mënyrë që ekipi të jetë I gatshëm për sezonin e ri. Pasditen e djeshme, shkodranët kishin planifikuar një miqësore me ekipin e Burrelit por ky I fundit nuk I është përgjigjur pozitivisht ftesës së tyre për arsye jo shumë të logjikshme dhe për këtë arsye, trajneri Canaj e ka testuar skuadrën e tij duke zhvilluar një ndeshje kontrolli Brenda familjes.

Ajo është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” ditën e djeshme dhe është ndjekur me interes nga një numër I konsiderueshëm tifozësh të cilët janë të etur ta shohin skuadrën e tyre të zemrës në fushën e lojës.
Formacioni
Trajneri Canaj ka bërë disa ndryshime në formacionin titullar nga ato çfarë mendohej. Kështu në portë këtë ndeshje ka qenë Selimaj. Ndryshime ka patur në mbrojtje. Dëmtimi i Bacit ka bërë që Semina të kalojë në krahun e majtë të këëtij reparti ndërsa në të djathtë të luajë Balaj. Edhe në qendër ka patur lëvizje teksa krahas Sykajt nuk ka qenë Beqiri i cili ka luajtur në formacionin e dytë, por Kraja. Në mesfushë ndërkohë kanë qenë Gocaj, Ramadani e Bardulla duke patur përpara Shtubinën e Hajdarin ndërsa në majë të sulmit, i vetëm ka qenë Gjini. Në formacionine  dytë ndërkohë kanë luajtur Hallunaj në portë, Nikshiqi, Beqiri, Rexha e Kruja në mbrojtje, Tafili, Dema, Kalaja e Vecaj në mesfushë dh Guri me Idrizin në sulm. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për ekipin e parë me golin e shënuar nga Hajdari. Edhe në pjesën e dytë ka patur një tjetër gol për këtë formacion, këtë herë me anë të Bardullës dhe në këtë mënyrë e gjithë ndeshja është mbyllur me rezultatin 2-0. Gjatë pjesës së dytë janë aktivizuar në fushë edhe Hepaj, Kabuni, Kozmai, Hyka etj. Ka qenë një ndeshje e bukur me luftë të fortë sportive duke treguar se mes futbollistëve do ketë një konkurrencë të fortë për formacionin.
Trajneri Canaj
Pas ndeshjes së djeshme të kontrollit ka folur dy fjalë edhe trajneri Canaj. Ai e ka justifikuar paraqitjen e futbollistëve në fushë edhe me lodhjen e tyre fizike gjatë këtyre ditëve. Por nga ana tjetër ka bërë të qartë edhe njëherë tjetër se skuadra ka nevojë për përforcime. “Jemi në maksimumin e ngarkesave fizike gjatë këtyre ditëve dhe për rrjedhojë futbollistët nuk shprehen ashtu siç duhet në fushë. Megjithatë jam i kënaqur me përkushtimin e tyre. Kemi ende për të bërë si për të kolauduar skuadrën por edhe për ta përforcuar atë. Na duhet medoemos të gjejmë edhe një portier dhe një sulmues cilësor. Me marrjen e tyre, skuadra do të jetë e plotë pastaj për të hyrë në kampionat”-ka thënë ai. Gjërat janë mëse të qarta. E ka pranuar edhe trajneri se ka nevojë për ndërhyrje. Mbi të gjitha në dy pika, portë e sulm. Tashmë mbetet për të parë se kush do të jenë këta futbollistë që do vishen kuqeblu.
Gjergj KOLA


Të premten miqësorja me Dinamon

Nëse nuk është luajtur dje me Burrelin, nesër me Dinamon zhvillimi I miqësores mund të konsiderohet punë e kryer. Stafet drejtuesve të dy ekipeve kanë rënë dakord për këtë gjë. Ndeshja do të luhet në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kjo do të jetë miqësorja e dytë zyrtare për kuqeblutë. Mbetet për t’u parë se çfarë formacioni do hedhë në fushë stafi drejtues I Vllaznisë. Kjo ngaqë trajneri Canaj ende nuk e ka fiksuar përfundimisht 11-shen që mendohet ta ketë si titullare në sezonin e ri. Prandaj dhe me Dinamon do të jetë një tjetër provë për futbollistët shkodranë.