Prova e zhvilluar me Tiranën ditën e mërkurë nuk I ka dalë ashtu siç duhet trajnerit të Vllaznisë Agim Canaj. Ai ka mbetur disi I pakënaqur nga forma e treguar prej disa futbollistëve që mendon t’ I ketë titullarë në sezonin e ri. Këta futbollistë i ka ndryshuar në pjesën e dytë të kësaj miqësoreje dhe loja e skuadrës shkodrane duhet thënë se është përmirësuar ndjeshëm. Kjo mund të thotë se ka ende vend për ndryshime si në formacionin e parë ashtu edhe në mënyrën e vendosjes dhe shumë gjëra të tjera. Por mbi të gjitha kjo skuadër ka nevojë për lojtarë të tjerë cilësorë. Trajneri i saj e ka thënë sërish këtë gjë dhe prandaj sytë janë drejtuar nga drejtuesit e klubit për të parë se çfarë do ndodhë në ditët e ardhshme.

Formacioni
Ndaj bardhebluve trajneri Canaj ka aplikuar disa ndryshime në formacion dhe në mënyrën e vendosjes në fushë të futbollistëve. Në portë ka luajtur në pjesën e parë Selimaj, në krahun e djathtë të mbrojtjes këtë herë është vendosur Gocaj, në qendër Sykaj dhe Beqiri ndërsa në të majtë Semina. Para kësaj katërsheje, kanë qenë të vendosur tre mesfushorë, të orientuar kryesisht me tipare mbrojtëse por edhe organizative të lojës dhe pikërisht Ramadani, Bardulla e Tafili. Para tyr në rolin e mesfushorëve të avancuar kanë qenë Shtubina e Hajdari ndërsa në sulm Gjini i vetëm. Ky ka qenë formacioni i pjesës së parë dhe duhet pranuar se loja e disa prej futbollistëve nuk është ngjitur në lartësinë e duhur e kjo ka ndikuar në paraqitjen e Vllaznisë në fushën e lojës. Stafi drejtues ndonëse nuk është shprehur por nisur nga veprimet e bëra në pjesën e dytë me zëvendësimet e këtyre lojtarëve, duket se ka mbetur i pakënaqur nga forma e Seminës, Tafilit, Shtubinës dhe Gjinit. Aktivizimi i Belishës, Dhramit dhe i disa futbollistëve të tjerë në pjesën e dytë, i ka dhënë tjetër ngjyrë lojës së kuqebluve të cilët duhet pranuar se e kanë dominuar këtë 45 minutësh, pavarësisht se nuk kanë arritur dot të shënojnë gol. Një paraqitje e tillë me shumë mundësi do të thotë që në ndeshjen e ardhshme testuese, atë të nesërmen me Teutën, do të kemi ndryshime në formacionin e parë.
Malazezët
Ditën e djeshme është pritur ndonjë sinjal nga dy futbollistët malazezë Vujadinoviç e Rajoviç megjithatë nuk ka asnjë konfirmim përfundimtar nëse ata do të firmosin me Vllazninë apo jo. Portieri prej dy ditësh është në Poloni teksa është në bisedime me një ekip atje i cili siç bëhet i ditur i ka ofruar shumë herë më tepër se kuqeblutë. Ndoshta dita e shtunë do të jetë përfundimtarja për fatin e tij. Drejtori i Vllaznisë Armir Grima edhe ditën e djeshme thuhet të ketë patur kontakte me Vujadinoviç megjithatë edhe për një apo dy ditë nuk pritet të ketë gjë konkrete. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Rajoviç. Megjithatë nevojat më të mëdha kuqeblutë i kanë për një portier dhe një sulmues. Prandaj dhe sytë janë të përqendruar tek Vujadinoviç për momentin ndërsa për sulmin do të tentohet deri në fund marrja e një lojtari cilësor edhe për këtë repart. Pa gjetjen e këtyre dy futbollistëve, trajneri Canaj nuk ndjehet i qetë sepse parashikon një kampionat shumë të vështirë dhe këto lojtarë duhen.
Gjergj KOLA