Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka pranuar pas ndeshjes në Durrës se Bylisi e meritoi, sepse pati uri dhe shpirt gare. Ai theksoi se kjo humbje ishte kambanë alarmi për të gjithë në Shkodër për të ndërhyrë në kohë:

“Nuk shkuan shumë gjëra. E kisha paralajmëruar prej kohësh. Në një finale na mungoi shpirti dhe uria për të fituar. Bylisi e meritoi, sepse kishte shpirt gare, edhe kur ne ishim 1-0.

Ajo që dua të theksoj se ky grup ka kohë që luan bashkë dhe në një finale duhej të jepte maksimumin. Nëse nuk ke uri, nuk ke shpirt gare, çdo gjë përmbyset.

Ishte një ballafaqim me një skuadër që vjen nga niveli i dytë. E di karakterin e tyre, sepse kam drejtuar atë ekip. Është një kambanë alarmi për të gjithë në Shkodër, sepse kemi hyrë në Superligë dhe duhen rregulluar shumë gjëra.

I di shumë mirë fenomenet. Bëj thirrje që me shumë qetësi të ndërtohet një skuadër për të arritur atë që mendohet. Në një kampionat elitar duhet një projekt.

Jo se jam i mërzitur teknikisht, por e pamë që skuadra ka nevojë për ndërhyrje për të pasur një Vllazni që të pretendojë të arrijë diçka në Superiore.

Kam ardhur te Vllaznia pa asnjë kusht. Ne duhet të përfitojmë nga gabimet e së shkuarës. Pamë një Vllazni, që nuk kishte mundësi të konkurronte me një Bylis me uri dhe pasion. E ardhmja? Vllaznia menaxhohet nga bashkia dhe kanë përfunduar kontratat.

Skuadra ka qenë e fjetur edhe për këtë arsye. Nëse do të më kërkohet të qëndroj, jam i gatshëm”, – ka thënë trajneri Canaj. / Vipsport/