Pavarësisht se do të luajë në Korçë ndaj skuadrës kryesuese të kampionatit të dielën pasdite në orën 13.00, Vllaznia do të kërkojë marrjen e pikëve. Këtë e ka deklaruar pas seancës së sotme stërvitore trajneri I saj Agim Canaj. Ai ka vlerësuar si positive gjendjen aktuale të skuadrës që drejton dhe pikërisht nga kjo, ka shprehur besimin për një rezultat pozitiv në këtë takim të parë të këtij viti. “Luamë ndaj skuadrës më të mirë të kampionatit por kjo nuk do të thotë se nuk do kërkojmë pikë.

Përkundrazi, në shumë ndeshje që kemi luajtur në transfertë gjatë këtij sezoni, jemi paraqitur më mirë dhe prandaj do tentojmë për të marrë pikë edhe në Korçë. Ne jemi Vllaznia dhe nuk trembemi përballë asnjë kundërshtari dhe këtë gjë do ta vërtetojmë edhe ndaj Skënderbeut”- ka thënë ai.
Ne takimin e se dieles me Skënderbeun, në formacionin e Vllaznisë do të luajnë edhe dy futbollistët e sapoardhur nga merkatoja, mbrojtësi malazez Vukçeviç dhe mesfushori serb Nikoliç. I pyetur në lidhje me këta dy futbollistë, Canaj ka thënë: “Kemi tentuar të marrim cilësorë dhe morëm dy të tillë. Ne na intereson fakti që ata e njohin kampionatin shqiptar dhe prandaj do të japin më të mirën për skuadrën tonë ashtu si pjesa tjetër e saj. Lojtarët cilësorë janë të vlefshëm për çdo skuadër prandaj ata do na shërbejnë edhe ne. Sa i takon akordit që kam arritur me drejtuesit e klubit për të drejtuar Vllazninë edhe për sezonin e ardhshëm, mund të them se kjo është një marrëveshje e arritur falë besimit reciprok që palët kanë tek njëra- tjetra. Unë e kam për nder t’i shërbej Vllaznisë dhe nëse sot biem dakord që të punojmë sëbashku edhe sezonin tjetër, kjo është një gjë e mirë sepse planet fillojnë të bëhen që herët dhe kjo është pozitive”. Ekipi shkodran ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore sot paradreke në “Loro Boriçi” ndërsa në orën 13.30 është nisur drejt Korçës, qytet ku do kalojë natën e sotme dhe do bëhet gati për sfidën e nesërme ndaj kryesueve aktualë të kampionatit. Me ekipin nuk kanë udhëtuar Belisha e Semina që kanë plotësuar numrin tre të kartonave të verdhë por janë pjesë e saj tashmë dy të huajt, Vukçeviç e Nikoliç si dhe shkodranët Zefi, Marku e Shaba.

 

© shkodrasport.com