Tekniku i Vllaznisë, Agim Canaj, ka reaguar menjëherë pas vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës për pezullimin e tij me dy ndeshje. Sipas tij, kjo gjë edhe e qëllimshme, pasi ai nuk bëri gjë tjetër veçse pohoi për mediat “masakrën” që iu bë skuadrës së tij nga gjyqtarët në ndeshjen ndaj Partizanit. Canaj është i mendimit se e gjithë kjo ka një prapaskenë, sepse nuk ka mundësi që Vllaznia dhe ai personalisht të dënohet dy herë radhazi. “Nuk e di çfarë po më ndodh këtë sezon. Nuk më ka ndodhur asnjëherë më parë që të dënohem në një mënyrë të tillë.

Dy herë brenda pak javësh dhe krejt pa kuptim më kanë surprizuar me të vërtetë. Natyrisht që nuk di se çfarë t’ju them. Unë nuk u luaj asnjë presje atyre fjalëve që kam thënë pas takimit me Partizanin për sa i përket gjykimit. Kush e pa atë ndeshje, e ka shumë të qartë sesi na u mohua një mundësi e mirë për të qenë në një kundërsulm me një superioritet të tillë numerik lojtarësh, ku edhe mund të kishim shënuar. Pa thënë pastaj atë rast të diskutueshëm për penallti pas pengimit në pjesën e parë të Hajdarit”, – thotë fillimisht Canaj. Më pas tekniku e ka lidhur këtë dënim me Tiranën, kundërshtari i radhës në kampionat. Sipas tij, nuk përjashtohet edhe mundësia që në këtë drejtim të ketë pasur edhe gjëra të qëllimshme. “Natyrisht që të mungosh në pankinë në një takim të tillë, siç është ky me Tiranën, për një trajner nuk është gjë e vogël, madje do thosha e qëllimshme nga ana e Disiplinës për të ndihmuar Tiranën. Gjithsesi, ne kemi marrë të gjitha masat për të krijuar sa më shumë komoditet për ekipin para këtij takimi dhe po e përgatisim të gjithë bashkë në mënyrën më të mirë të mundshme”, – shton tekniku. Ndërsa, i pyetur për faktin sesa mund të ndikojë ky dënim te skuadra, ai në fund të deklarimit të tij shprehet: “Do mundohemi që skuadrën ta mbajmë Bernard Berisha Shaqir Stafa larg kësaj që ka ndodhur. Ajo po punon e qetë dhe drejtuesit e klubit kanë marrë të gjithë masat për një gjë të tillë me këtë grumbullim. Unë do kërkoj prej tyre që ta kalojnë me sukses këtë takim, pasi është tepër i rëndësishëm për vetë situatën në të cilën gjendemi. Mendoj se do jetë një përballje jo e lehtë për ekipin tonë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Me të tilla gjykime Vllaznia do e ketë përherë të vështirë, pasi nuk do i duhet që të luajë vetëm ndaj kundërshtarit. Megjithatë, ne do të bëjmë punën tonë dhe duhet të tregojmë më të mirën në fushën e lojës”, – përfundon Canaj.
Admir URUÇI