Vllaznia është e detyruar të kërkojë vetëm fitoren në takimin e së dielës me Partizanin për vetë situatën ku ndodhet ajo në renditje. Kuqeblutë kanë zhvilluar paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore dhe më pas janë drejtuar sërish drejt hoteli. Trajneri Canaj pas kësaj séance të fundit ka vlerësuar edhe grumbullimin e skuadrës dy ditë para ndeshjes dhe njëkohësisht ka theksuar se takimi me Partizanin do jetë I rëndësishëm dhe ai ka besim se dhe tifozët do jenë të shumtë në numër për ta mbështetur Vllazninë në këtë ndeshje. “Ky do jetë një takim shumë i rëndësishëm. Mendoj se të gjithë e presim me padurim, ashtu si ne edhe tifozët tanë të zjarrtë për të cilët klubi mendoi t’i bënte një ftesë për t’i patur si mbështetje në këtë ndeshje dhe për rrjedhojë hyrja për to do jetë e lirë.
Ne jemi përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe mundësitë i kemi për ta bërë këtë gjë. Skuadrën e kemi grumbulluar dy ditë para ndeshjes në mënyrë që futbollistët të jenë më të qetë, të jenë larg presionit të mediave por edhe larg familjarëve të tyre të cilët dashje pa dashje ushtrojnë presion. Kjo gjë do shërbejë për mirë dhe kuptohet që do reflektohet në fushën e lojës”- ka thënë Canaj. Takimi I nesërm ndoshta konsiderohet si mundësia e fundit e Vllaznisë për të siguruar shpëtimin nga rënia prej kategorisë megjithatë trajneri Canaj nuk e konsideron krejt kështu. Ai ndër të tjera shprehet se këtë herë shpreson që fati të jetë me Vllazninë. “Në dy ndeshjet e fundit që kemi luajtur në fushën tonë, me Teutën dhe me Flamurtarin për kupë kemi bërë shumë ndeshje të mira por nuk kemi patur fat në shënimin e golave. Prandaj do dëshironim që edhe ndaj Partizanit të kishim fat. Pse jo, të krijojmë vetëm dy raste dhe të shënojnë dy gola. Kështu do ishte më mirë. Ne e kemi vlerësuar seriozisht kundërshtarin. Sa i takon formacionit me të cilin do luajmë, unë e kam zakon që të mos nisem nga emrat por nga lojtarët që gëzojnë formën më të mirë sportive. Prandaj edhe nesër do hedh në fushë lojtarët që do të kenë formën më të mirë sportive”- ka thënë trajneri i kuqebluve. Vllaznia- Partizani do të luhet ditën e dielë në orën 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe pritet që të ketë një numër të madh tifozësh, aq më tepër që hyrja e tyre këtë herë do jetë e lirë. Kuqeblutë kanë nevojë për mbështetje në këtë moment të vështirë dhe tifozët kanë premtuar se do ja japin atë.
© shkodrasport.com