Manchester City ka treguar se është një nivel tjetër në krahasim me skuadrat e tjera të Premier League duke mposhtur pa probleme një nga klubet më historike të Anglisë, Arsenalin, me rezultatin 3-0 në Wembley.

Carabao Cup këtë herë do të shkojë në Mançester.Të besuarit e Guardiola-s shkëlqyen edhe njëherë dhe tani kanë hipotekuar trofeun e parë të sezonit falë paraqitjes fantastike që nënshtroi Topçinjtë.

Megjithëse ishin të besuarit e Wenger që humbën një rast të pastër në fillim të ndeshjes, City ishte dominues dhe pas golit spektakolar të Aguero-s gjithçka u bë më e lehtë për Qytetarët.

Por golat e tjerë erdhën pas pushimit, ndërsa Arsenal asnjëherë nuk u mundua të rikthehej në lojë.

Kapiteni Kompany shënoi golin e dytë dhe ai që vulosi përfundimisht rezultatin ishte David Silva, tashmë i rikthyer në formacionin e Guardiola-s.

Një lajm tjetër i mirë për City-n është rikthimi i Gabriel Jesus, i cili u fut në fushë në fund të takimit./telesport/