Një novitet, nëse mund të thuhet kështu, është se Gerry Cardinale nuk është më i kënaqur vetëm me bilancin pozitiv ekonomik dhe një vend në Champions. Tashmë, pronari i Milanit dëshiron të fitojë trofe. Dhe mundësisht ta bëjë këtë menjëherë. Sipas “Gazzetta dello Sport”, në vitin 2025, Milani duhet të fitojë patjetër një trofe.

Çfarëdo që të jetë ai, nuk ka shumë rëndësi, por pas titullit të kampionit të tri viteve më parë, duket se edhe numri një i “Red Bird” mendon se ka ardhur momenti për ta freskuar “palmaresin” e klubit kuqezi me trofeun e ardhshëm.

Kjo, duke pasur parasysh se janari do t’i ofrojë Milanit mundësinë e parë për të kënaqur pronarin e tij. E thënë ndryshe, Milani duhet të kthehet nga Rijadi me Superkupën Italiane. Mision i mundshëm? Sigurisht, por i vështirë, kjo nuk duhet harruar.

Edhe fjalët e tij për Interin, paksa të papërshtatshme, të disa ditëve më parë, duhet të rregullohen sa më shpejt. Pra, jo vetëm një skuadër e aftë në planin afatgjatë, por e denjë për të fituar shpejt. Aq më tepër me një formacion të gatshëm për të fituar menjëherë. Ndoshta jo titullin e kampionit, që është shumë larg, gjë që duket se do të preokupojë të tjerët, por të paktën diçka midis Superkupës Italiane dhe Kupës së Italisë.

Dy trofe të gatshëm për t’u ftuar, nëse lejojnë Juve, Inter dhe Atalanta. E gjithë pjesa tjetër është “diktati” i zakonshëm i “biznesit”, ku një vend në Champions-in e ardhshëm është detyrim, si dhe rrugëtimi dinjitoz në edicionin aktual të super kompeticionit për klubet europiane, gjithashtu.

Duke pasur parasysh kërkesat, mund të pyesim nëse Cardinale do të vendosë të investojë në merkaton e janarit. Kjo gjë duket e nevojshme për të forcuar një skuadër që është të paktën e paplotë, por më parë duhet vlerësuar gjendja fizike dhe psikofizike e atyre që janë tashmë në skuadër, e atyre që po kthehen (Bennacer kryesisht) dhe atyre që duhet të vendosin nëse do të qëndrojnë apo do të largohen (Theo Hernandez). Ndërkohë, Fonseca pret Romën dhe shpreson ta mbyllë vitin me një fitore. Për vitin që vjen ka ende kohë…/