Real Madridi po synon që ta përsërisë performancën mbresëlënëse në mesjavë ndaj Manchester Cityt, teksa po bëhen gati për duelin ndaj Gironës të dielën. 

Pasi humbën vendin e parë në La Liga vikendin e kaluar, kampioni në fuqi do të jetë i etur për ta rikthyer atë sa më parë që të jetë i mundur, ani pse ata duhet të shpresojnë se Barcelona do të lëshojë pikë ndaj Las Palmas sonte (e shtunë). 

Carlo Ancelotti foli para gazetarëve, dhe bisedën e nisi duke komentuar shortin e Ligës së Kampionëve, i cili i vuri ata përballë rivalit lokal Atletico Madridit. 

“Do të jetë e vështirë, si gjithmonë. Do të jetë një ndeshje e bukur, argëtuese dhe e barabartë. Kualiteti i dy skuadrave është i ngjashëm”. 

Ancelotti dha gjithashtu mendimin e tij për ndeshjen ndaj Gironës teksa u pyet për garën për titull që përfshin Barcelonën, Atletico Madridin dhe ekipin e tij Real Madridin. 

“Është një moment i rëndësishëm i sezonit. Ne duhet të përsërisim versionin e mirë ndaj Manchester Cityt”. 

“Ju nuk mund të dështoni, kampionati është shumë konkurrues dhe çdo ndeshje është e rëndësishme për ta përfunduar mirë këtë garë”. 

“Një kampionat konkurrues si ky në Spanjë është i vështirë. Këtu janë tri skuadra tek një pikë dhe të gjitha skuadrat janë të një niveli të lartë. Është një kampionat që do të vendoset në ndeshjen e fundit”, ka thënë Ancelotti./Telegrafi/