Vajushi 45 minuta titullar. Liteks fiton sërish

Futbollisti shkodran Armando Vajushi ka luajtur sërish titullar në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme ndaj Varnas. Ai ka qëndruar 45 minuta në fushë ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë është zëvendësuar nga ana e trajnerit Stoçkov. Skuadra e Vajushit e ka fituar ndeshjen e sotme me rezultatin 1-0 ndonëse ka luajtur në transfertë. Goli i Janes në minutën e 55-të i ka dhënë fitoren kësaj skuadre.Duhet thënë se Liteksi ka ndryshuar tërësisht pas janarit teksa ka arritur 6 fitore dhe 1 barazim ndërkohë që nuk e njeh shijen e humbjes. Me fitoren e sotme, kjo skuadër është ngjitur në vendin e pestë të renditjes vetëm me 4 pikë larg vendit të dytë dhe të tretë. Madje kjo diferencë mund të ngushtohet javën e ardhshme teksa Liteks do presë në Lovech ekipin e Levskit të Sofjes që është i renditur i dyti. Për Vajushin sigurisht që ka rëndësi të luajë rregullisht dhe të japë më të mirën e tij.

Admir Mehja shënon sërish. Liria mund Prishtinën kryesuese

Futbollisti shkodran Admir Mehaj ka shënuar sërish për skuadrën e Lirisë së Prizrenit për të cilën luan. Ka ndodhur kështu në takimin e sotëm, atë që skuadra prizrenase ka luajtur në fushën e vet ndaj ekipit të Prishtinës që udhëheq kampionatin. Mehaj ka shënuar në minutën e 47-të të ndeshjes me një gjuajtje të fortë me të djathtën e tij nga 25 metra. Ky gol ka qenë i vetmi i ndeshjes, rezultati përfundimtar i së cilës ka qenë 1-0 për Lirinë. Ky është goli i dytë rradhazi për Mehajn sepse siç ju kemi bërë të njohur, ai pat shënuar edhe javën e kaluar, në transfertën e mbyllur barazim 1-1 me KEK. Ndeshja e sotme ndaj Prishtinës ka qenë interesante dhe është ndjekur nga 2 mijë shikues. Figurë shumë të mirë në këtë ndeshje ka bërë edhe futbollisti tjetër shkodran Alsid Tafili.

Admir Mehja, një tjetër shkodran shënon për Lirinë e Prizrenit

 

 

Pas Alsid Tafilit, një tjetër futbollist shkodran bëhet protagonist për skuadrën kosovare të Lirisë së Prizrenit. Bëhet fjalë për mesfushorin Admir Mehja. Ai ka shënuar golin e vetëm për skuadrën e tij në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë të luajtur në transfertë ndaj KEK-ut. Goli i tij në minutën e 69-të i dha epërsinë momentale prizrenasve por ata nuk mund ta ruajnë atë deri në fund sepse vendasit barazuan rezultatin katër minuta para mbarimit të ndeshjes. Megjithatë  barazimi në fushën kundërshtare nuk është keq për Lirinë që e ka nisur fazën e dytë më mirë.

Alsid Tafili shënon për Lirinë por ajo eliminohet nga Kupa

Skuadra kosovare e Lirisë së Prizrenit ka humbur në fushën e saj nga ekipit kryesues të Ligës së parë të Kosovës- Ferronikelit dhe është eliminuar nga kupa. Ka ndodhur kështu në turin çerekfinal që është luajtur vetëm me një takim në Prizren. Miqtë kanë fituar 2-1 duke qenë ata tashmë në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Golin e vetëm për Lirinë e ka shënuar mesfushori shkodran Alsid Tafili nga pika e 11-metërshit në minutën e 66-të duke ngushtuar rezultatin por pa mundur dot të barazojë. Në fakt, skuadra prizrenase e ka më shumë mendjen tek kampionati ku kërkon të ngjitet sa më shumë në renditje.

Vajushi sot 90 minuta të plota për Liteks që barazon

Futbollisti shkodran Armando Vajushi sot ka luajtur 90 minuta të plotë si titullar në formacionin e Liteks në ndeshjen e kampionatit që kjo skuadër ka zhvilluar në transfertë nga Beroe skuadrës së Beroes. Kjo ndeshje është mbyllur në barazim 1-1. Nga sa bëhet e ditur në faqen zyrtare të klubit bullgar pdlitex.com, 20 vjeçari shkodran ka bërë një paraqitje të mirë në këtë takim, duke qenë në dy-tre raste shumë pranë shënimit të golit. Takimi është ndjekur nga 6 mijë tifozë dhe me këtë barazim rregjistrohet një tjetër rezultat pozitiv për Liteksin i cili duhet pranuar se në fazën e dytë të kampionatit është i tjetërsuar pas ardhjes në krye të tij të trajnerit Stoiçkov dhe disa futbollistëve ndër të cilët edhe Vajushi.

Armando Vajushi, 57 minuta titullar në formacionin e Liteksit

Sulmuesi 20 vjeçar shkodran Armando Vajushi sot më në fund ka luajtur si titullar në formacionin e skuadrës Liteks Lovech.Ai ka qenë në fushë deri në minutën e 57-të kur trajneri ka vendosur ta largojë nga fusha ngaqë sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, braziliani Nikasio në fillimin e pjesës së dytë është ndëshkuar me karton të kuq prandaj dhe trajneri ka vendosur të largojë Vajushin për të futur në lojë një mesfushor të mirëfilltë. E gjithë ndeshja është fituar nga Liteksi me rezultatin 1-0 me gol të brazilianit Nikasio që në pjesën e parë.Liteksi i këtij viti është shumë më ndryshe nga ai që ka qenë deri në dhjetor. Ardhja e trajnerit Stoiçkov, e Vajushit dhe e disa futbollistëve të tjerë në merkaton e janarit, ka ndryshuar shumë gjëra.

Armando Vajushi, nesër titullar ndaj Sllavias së Sofjes

Armando Vajushi pritet që ditën e nesërme të jetë që nga minuta e parë në fushën e lojës me skudrën e tij Litex në Bullgari. Shkodrani dhe ekipi i tij ka një përballje të vështirë. Edhe pse luajnë brenda nuk e konsiderojnë aspak të lehtë sfidën me Slavia të Sofies. Këtë javë kanë një kundërshtar të fortë përballë. Vajushi pritet ta nisë në formacionin e parë. Ish sulmuesi i Vllaznisë ka shfaqur formë të mirë sportive dhe është përzgjedhur nga trajneri Stoichkov për ta nisur lojën me 11-shen e parë. Shkodrani e ka mirëpritur këtë përzgjedhje të trajnerit të tij duke i shprehur se do të jetë në tapetin e blertë për të bërë më të mirën e tij. "Akoma nuk është vendosur përfundimisht por me shumë gjasa do ta nis ndeshjen ndaj Slavia si titullarë. Natyrisht që një fakt i tillë më gëzon" - deklaron Vajushi nga Bullgaria. Deri tani ka provuar të luaj në tre ndeshje zyrtare me Litex teksa është aktivizuar me nga 30 minuta në secilën prej ndeshjeve. Ka marrë pëlqimin e tifozëve dhe stafit teknik. Ka zhvilluar lojë të mirë dhe ka qenë edhe produktiv teksa ka dhënë një asist që është shndërruar në gol duke shfaqur menjëherë aftësitë e tij.

Alsid Tafili, 3 gola në rikthimin tek Liria

Futbollisti shkodran Alsid Tafili është rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme tek Liria e Prizrenit. Në ndeshjen e tij të parë me të, ai ka qenë protagonisti kryesor në fitoren 4-1 ndaj Gjilanit duke shënuar plot 3 gola në këtë ndeshje. Ka qenë një rikthim që ndoshta edhe ai vetë nuk e kishte menduar dhe prandaj vetë ai ka mbetur i befasuar. "Ka qenë një ndeshje që do më lërë mbresa gjatë. Shënova tre gola dhe i dhashë fitoren ekipit tim. Në Prizren nuk më kishin harruar. Tifozët më respektojnë shumë dhe gjatë gjithë ndeshjes, dëgjoja tifozët të thirnin në kor emrin tim dhe kuptohet që kjo më bëri të ndjehem mirë"-ka thënë ai për gazetën www.shkodrasport.com. Tafili është rikthyer nga Greqia pas fatkeqësisë familjare (ndarjes nga jeta të babait të tij-mjeshtrit të çiklizmit Agim Tafili) dhe ka patur 2-3 oferta në Shqipëri por vendosi të kthehej sërish në Kosovë, aty ku 2 sezone më parë pat luajtur sërish me Lirinë e Prizrenit dhe e ndihmoi atë skuadër të fitonte kupën e Kosovës duke mundur në finale Vllaznimin e Gjakovës me 2 gola të shënuar prej tij në fitoren 2-1.

Xhevahir Sukaj luan 80′ në Champions League të Azisë dhe fiton

Mbrëmjen e sotme, në Teheran të Iranit është luajtur ndeshja e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Azisë në mes ekipit vendas të Sepahanit ku luan edhe futbollisti shkodran Xhevahir Sukaj dhe skuadrës Al Nasri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Iranianët kanë luajtur më mirë, e kanë dominuar lojën dhe ndonëse kanë patur shumë raste shënimi, kanë arritur ta dërgojnë topin në rrjetë vetëm në minutën e 86-të, gol që u ka dhënë atyre fitoren e shumëpritur me rezultatin 1-0 dhe Sepahan në këtë mënyrë e ka nisur mbarë ecurinë e tij në Ligën e Kampioneve të cilën ka qëllim ta fitojë sivjet. Ndërkohë Sukaj ka qenë për 80 minuta titullar dhe ka bërë një paraqitje të mirë. Aq sa në disa raste i gjithë stadiumi ka thirrur në kor emrin e tij.

Xhevahir Sukaj nesër në fushë kundër Luka Tonit

Një përballje shumë interesante do jetë ajo e ditës së nesërme mes skuadrës iraniane të Sepahan ku luan futbollisti shkodran dhe asaj Al Nasri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo është një ndeshje e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Azisë. Përveç këtyre dy skuadrave, në këtë grup janë edhe kampionet e Arabisë- Al Ehly dhe ajo e Katarit-Lekhëiya. Janë ndeshjet e para në grup dhe dy të parat e secilit grup dalin në 16-she.

FUTBOLLI I FEMRAVE

HISTORI