Që nga konflikti i krijuar në fushë, që në thelb kishte pikërisht hierarkinë, braziliani Neymar dhe uruguajani Edinson Cavani kanë qenë protagonistë në faqet e para të medieve të ndryshme. Por tashmë ish sulmuesit të Napolit duket se i ka ardhur në majë të hundës, që më shumë lakohet vetëm për këtë episode, se sa për atë që bën në fushën e lojës. Prandaj ai del me një deklaratë që kërkon të sqarojë njëherë e mirë këtë argument.
30-vjeçari, i cili as nuk e çon nëpër mend largimin nga Paris Saint Germain, siç u spekulua pas mbërritjes së yllit Neymar, deklaron se pavarësisht asaj që u pa në fushë, relatat mes tyre janë të shkëlqyera. “Ne jemi të dy profesionistë dhe e dimë shumë mirë që duhet të punojmë për të mirën e skuadrës. I gjithë ekipi ishte shumë i lumtur kur Neymar mbërriti në Paris, sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por mediet si zakonisht spekulojnë dhe krijojnë konflikte e keqkuptime. Një episod i izoluar nuk është tregues për realitetin. Personalisht dëshiroj të qëndroj sa më gjatë në këtë skuadër e të fitoj gjithçka me të. Neymar do të më ndihmojë në këtë drejtim dhe jam i lumtur të them se njëherazi jemi edhe miq të mire”, tha Cavani.
Që nga transferimi i tij nga Napoli në vitin 2013, uruguajani ka shënuar 155 gola për skuadrën e franceze, vetëm një më pak nga rekordi që mban ende Zlatan Ibrahimoviç.