Dy drejtuesit e lartë të Vllaznisë, presidenti Agron Çela dhe trajneri Artan Bushati, I janë rikthyer sërish çështjes “Lika”. Duke folur para një grup trajnerësh dhe specialistësh të futbollit shkodran në lidhje me ato çfarë kanë bërë në këtë periudhë të shkurtër që janë në krye të Vllaznisë, ata kanë folur edhe për merkaton. Ka qenë trajneri Bushati që e ka ngritur këtë çështje teksa ka thënë: “Kërkuam lojtarë cilësorë në merkaton e janarit. Sigurisht që edhe ne u nisëm me idenë që të shohim se cilët lojtarë shkodranë mund të sjellim në skuadër ngaqë jemi të vetëdijshëm se më mirë ata sesa disa të huaj që nuk bëjnë diferencën. Për këtë arsye, tentuam të marrim Likën dhe Sykjen. U muduam të bëjmë maksimumin për t’I marrë ato.
Për Sykjen ndonëse ishte nën kontratë, arritëm të jepnim edhe shuma financiare që të na e linin të lirë por kjo nuk u bë e mundur. Sa për Likën, dua t’u them se për të u dha një shumë tepër tunduese por ishte dëshira e tij për të qëndruar në Tiranë për arsye familjare sepse është I fejuar dhe kishte dëshirë të qëndronte pranë saj. Pra nuk ishte çështje financiare mosardhja e tij tek Vllaznia”. Pas kësaj deklarate të trajnerit, ka ndërhyrë edhe presidenti Çela për të bërë edhe një sqarim të vogël teksa ka thënë: “I kemi ofruar të njëjtën shumë financiare si Tirana, madje I kemi ofruar edhe një mundësi më shumë përveç saj por sërish ai bëri zgjedhjen e tij
Problemet fizike. Trajneri Bushati e ka pranuar edhe në takimin që ka patur me trajnerët dhe specialistët e ndryshëm të futbollit shkodran se e ka marrë drejtimin e Vllaznisë duke konstatuar shumë probleme fizike tek ajo. “Problemet fizike tek skuadra kanë qenë të mëdha. Duket se është bërë si rit që sa herë që ndërrohen trajnerët, të trajtohet ky problem. Po ju them me sinqeritet që edhe sot, pavarësisht se kemi bërë stërvitje, ekipi ka shumë probleme fizike. Kjo vjen nga ngarkesa që I kemi dhënë ngaqë ekipi nuk është në formën më të mirë, por kemi qenë të detyruar ngaqë duhet të kapim formën sepse janë edhe 13 ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit dhe nëse kemi probleme në ndeshjen e parë apo të dytë, të të tjerat pastaj ekipi të tregojë formë të mirë”. Tashmë gjërat janë mëse të qarta. Periudha e ndryshimit të trajnerëve tek Vllaznia, ka patur efektin e vet negativ sa I përket stërvitjes së skuadrës.
Objektivat. Në takimin e djeshëm, gjatë bashkëbisedimit me grupin e trajnerëve, dyshja Çela- Bushati ndër të tjera ka bërë të qartë se objektivi I tyre është bërja e maksimumit në këtë fazë të dytë të këtij kampionati, për të menduar pastaj më ndryshe për sezonin e ardhshëm. Kjo tregon se ata e kanë ndër mend të bëjnë gjëra të mira me Vllazninë. Nëse nuk ia arritën në merkaton e janarit për të gjetur lojtarët e duhur, me siguri që në verë do jetë shumë më ndryshe. Por pa shkuar deri atje, të gjithë tashmë e kanë mendjen tek kampionati aktual, madje tek ndeshja e nesërme me Skënderben ku shpresohet marrja e një pike për të nisur mbarë punën e kësaj dyshe, e cila është mirëpritur në Shkodër.
Gjergj KOLA