Më në fund kanë dalë zyrtarisht sëbashku. Kandidati për president I Vllaznisë Agron Çela ditën e djeshme ka ndjekur ndeshjen miqësore të kësaj skuadre me Adën. Bashkë me të, ka qenë edhe kandidati për trajner Artan Bushati. Ata kanë preferuar të mos jenë tek tribuna e vogël e fushës sportive “Reshit Rusi” (ngaqë ende zyrtarisht nuk janë pjesë e Vllaznisë) por kanë kanë qëndruar tek shkallët e tifozëve. Gjatë gjithë ndeshjes kanë rënë reshje të shumta shiu megjithatë dyshja Çela- Bushati ka qëndruar gati deri në fund të saj duke ndjekur me vëmendje gjithçka ndodhte në fushën e lojës.

Nga ana tjetër e fushës ka qenë trajneri ende në detyrë Shpëtim Duro që me siguri nuk do të jetë ndjerë mirë kur ka parë Bushatin të jetë pranë skuadrës megjithatë edhe ai e ka të qartë se I ka orët e numëruara. Çela dhe Bushati nuk kanë preferuar të flasin për mediat. Kanë bërë të njëjtën gjë që kanë bërë prej ditësh duke thënë se përderisa ende nuk janë zyrtarizuar, nuk mund të flasin për këtë çështje. Megjithatë tashmë një gjë është e sigurtë. Nëse Çela merr presidencën, Bushati do të jetë trajneri I Vllaznisë. Vetë ai nuk ka pse të fshihet më. Prania e tyre dje në ndeshjen miqësore flet vetë.
Takimi. Me t’u larguar nga fusha “Reshit Rusi”, biznesmeni Agron Çela është drejtuar për në Bashkinë Shkodër ku ka patur një takim me drejtuesit e këtij institucioni për të biseduar për akt-marëveshjen dhe paqartësitë që kanë ekzistuar mes palëve. Ndonëse nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë takime, burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se ka patur jo pak diskutime. Nëse fillimisht u mendua se do të kishte një mbledhje të Këshillit Bashkiak ditën e sotme, me shumë siguri kjo nuk do të bëhet e mundur. Palët ende nuk kanë arritur akordin dhe me shumë mundësi as këtë javë nuk do ketë mbledhje. Ndoshta gjërat kanë për të shkuar deri në mbledhjen e zakonshme të Këshillit që zhvillohet në fund të muajit. Ka shumë paqartësi për mënyrën e funksionimit por edhe për bazën ligjore dhe prandaj të dyja palët po maten jo pak para se të bien dakord në mënyrë që të mos ketë shkelje ligjore.

www.shkodrasport.com