Deri më 23 qershor është presidenti I Vllaznisë. Pas kësaj date mund të jetë edhe deputet I parlamentit shqiptar. Agron Çela ka dëshirë t’I mbajë të dy këto funksione, përderisa ligji ia lejon. Edhe nëse nuk ndodh kjo, ai premton se do të bëjë më të mirën për sportin shkodran dhe Vllazninë. Numri 1 I klubit kuqeblu në një intervistë të gjatë për “Gazetën e Sportit”, ka folur për gjithçka. Ka folur për fazën e dytë të sezonit që lamë pas, për vendin e gjashtë dhe po ashtu edhe për planet për të ardhmen. Presidenti I Vllaznisë nuk mund të qëndronte pa komentuar edhe largimin e Smajlit dhe ka garantuar se nuk do ketë të tjerë. Premtimi që bën Çela (jo për fushatë) është se për sezonin e ardhshëm do të ndërtojë një super- ekip. Ja intervista e plotë e tij dhënë për gazetën:

-Pas 6 vitesh e gjysëm larg Vllaznisë, vendosët të riktheheshit sërish pranë saj në janarin e këtij viti. Çfarë ju shtyu për ta bërë këtë gjë?
-Ju thanë larg sepse vërtetë nuk kam patur ndonjë funksion drejtues tek Vllaznia, por me mendje dhe me zemër kam qenë gjithnjë pranë saj. Si tifoz, si shkodran, ishte obligim për mua si biznesmen t’I përgjigjesha pozitivisht ftesës që mu bë për ta marrë atë.
-Megjithatë në një kohë të papërshtatshme apo jo?
-Sigurisht që ishte e papërshtatshme sepse skuadra ndodhej në vend të tetë. Por unë jam presidenti që I gjendem pranë Vllaznisë sa herë ajo gjendet në pozita të vështira. Kështu pat ndodhur edhe më 2003 pas vdekjes s ëish- presidentit Myftar Çela dhe e mora ekipin pa asnjë lojtar në një gjendje shumë të keqe dhe megjithatë në fund të sezonit e dërgova atë në vendin e tretë. Kështu ndodhi edhe këtë herë por unë nuk e kisha shumë problem këtë gjë sepse siç e thashë isha mësuar me vështirësi, aq më tepër kur bëhej fjalë për Vllazninë, skuadrën time të zemrës.
-E morët në vendin e tetë megjithatë nuk arritët të kapnit Europën siç pretenduat në fillim. Pse?
-Kjo është e vërtetë. Kisha shumë besim në fillim. Mendoja se gjërat do ndryshonin shumë shpejt por na dolën disa pengesa që na dëmtuan në rrugën tonë. E para ishte ikja e Osmanit pas një mosmenaxhimi të mirë të çështjes së tij nga drejtuesit e klubit. Unë nuk kisha asnjë mundësi të lëvizja më shpejt në merkato sepse pata vetëm 20 orë në dispozicion pas marrjes së klubit në duart e mia. Përpos kësaj, na doli edhe çështja “Semina” që për arsye të tiat personale, u largua nga skuadra. Kjo I nxorri jo pak punë stafit, prishi jo pak ekuilibra dhe uli në njëfarë mënyre atë vrull që kishte ajo pas fitoreve ndaj Skënderbeut dhe Kukësit në dy ndeshjet e para të fazës së dytë. Të gjitha këto ndikuan dhe për rrjedhojë në disa ndeshje jashtë Shkodre nuk dhamë më të mirën duke mos mbajtur dot ritmin e fillimit e për këtë arsye përfunduam të gjashtë.
-Cila është sipas jush ndeshja më e keqe e Vllaznisë në këtë fazë të dytë?
-Ajo me Shkumbinin në Peqin, humbje pas së cilës na u shuan të gjitha shpresat për një vend në Kupat e Europës. Jo vetëm humbën por edhe zhvilluam një ndeshje shumë të dobët.
-Po ndeshja më e mirë e Vllaznisë?
-Në anën e rezultatit sigurisht ajo me Skënderbeun në Korçë por fitorja më e bukur për futboll padiskutim që ka qenë ajo me Kukësin në Shkodër. 8 mijë tifozë të pranishëm në “Loro Boriçi, ishin një kënaqësi më e madhe madje kjo ndeshje është vlerësuar si edhe ajo me më shumë tifozë në këtë kampionat.
-Si përfundim vendi I gjashtë në kampionat. Si e gjykoni një vend të tillë?
-Të jem realist e mendoj si një vend komod. Kur e mora unë skuadrën në fund të janarit, ajo ndodhej në vendin e tetë dhe shumëkush në Shkodër kishte frikën e mosrënies nga kategoria të Vllaznisë. Ne jo vetëm që nuk ramë nga kategoria por ua futëm frikën ekipeve të tjera pretendente për t’ua zënë vendin, paçka se ato ishin më përpara nesh në të gjitha drejtimet sepse kishin punuar më përpara.
-Cilat janë raportet tuaja me Bashkinë Shkodër në këtë marëdhënie të re që keni krijuar tek Vllaznia?
-Raportet me Bashkinë janë të shkëlqyera. Kam një vlerësim maksimal për stafin që ka ndërtuar këtë ekip në fillim të sezonit e pa dyshim këtu fus në veçanti nënkryetarin e Bashkisë Troshanin.
-Megjithatë ditët e fundit është shndërruar në një çështje largimi I Smajlit. Cili është komenti juaj për të?
-Unë e kam vlerësuar në maksimum Smajlin për atë se çfarë ka dhënë gjatë karrierës së tij, në veçanti tek Vllaznia. E vlerësoj ende edhe tani si futbollist, por se vlerësoj për largimin e tij nga Shkodra. Ishte një veprim që nuk duhej ta bënte. Kemi biseduar gjatë me të, ra dakord paramisht për kontratën e re, I dhamë dorën njëri- tjetrit dhe në fund u largua se u largua.
– Ai thotë se është larguar ngaqë Flamurtari I bëri një ofertë më të mirë financiare…
-Nuk dua ta besoj këtë gjë. Në bisedimet që zhvilluam me të, I ofrova 25 % rritje të kontratës ngaqë ajo që ka patur këtë sezon dhe kjo nuk është pak, madje mund të jetë edhe më shumë nga sa I ka ofruar Flamurtari.
-Megjithatë u largua…
-Prandaj thashë më lart se nuk e vlerësoj aspak për veprimin që bëri.
-Si do ta zëvendësoni këtë futbollist që ka qenë ndër më të mirët e Vllaznisë por edhe të kampionatit shqiptar?
-Mos e ekzagjeroni kaq shumë. Po ju kujtoj se Skënderbeu ka dalë kampion pa pasë mbrojtës të djathtë në kampionatin e fundit sepse lojtarët që luanin në këtë pozicion u dëmtuan, u larguan apo kishin probleme të tjera megjithatë skuadra ia doli të ketë sukses. Gjithsesi ne si staf po I marrim masat tona për zëvendësimin e tij.
-Kush mund të jetë ai?
-S’dua të nxitohem të jap emra që tani. Po ju them vetëm se lojtari që ka për të ardhur për të zëvendësuar Smajlin, ka gjasa të jetë 20-30 për qind më I mirë se ai. Të paktën kështu mendojmë.
-Ndërkohë mund të largohen edhe Vujadinoviç dhe Dragoi. Do I lini edhe ato të ikin?
-S’do largohet as njëri dhe as tjetri. Kemi biseduar edhe me këto dy futbollistë dhe u kemi bërë ofertat tona. Si Vujadinoviçi ashtu edhe Dragoi parimisht kanë rënë dakord për të rinovuar dhe kjo gjë do bëhet sapo të mbarojnë zyrtarisht kontratat aktuale ngaqë nuk mund të firmosnim kontratë mbi kontratë me ta.
-Me këtë që po thoni, të jepni përshtypjen se do ndërtoni një ekip pretendent për sezonin e ardhshëm. E vërtetë kjo?
-Pa diskutim që po. Do ndërtojmë një ekip pretendent për fitimin e trofeve dhe objektivi më minimal që do kemi, do jetë sigurimi I një vendi që do na çonte në Kupat e Europës. Jam I gatshëm të shpenzoj miliona e miliona lekë për këtë, thjesht për të rkthyer Vllazninë tek trofetë.
-Si do ta realizoni këtë, ku do t’I gjeni lojtarët?
-Po punojmë çdo ditë për këtë gjë. Objektivi jonë është të mbajmë thuajse të plotë kontigjentin aktual, të kthejmë ndonjë shkodran që luan në ekipet e tjera dhe të bëjmë 3-4 blerje shumë cilësore, nga një për secilin repart. Kur them cilësore, e kam fjalën për të qenë 30- 40 për qind më të mirë se futbollistët e kampionatit shqiptar dhe për këtë kemi nisur punën për t’I gjetur ato.
– Do të ktheni Gilman Likën sërish tek Vllaznia?
-Lika besoj se do jetë një mundësia reale për ne. Ai ka objektiva për të ikur jashtë dhe nëse nuk e bën këtë, sigurisht që Vllaznia do jetë zgjedhja e tij e parë. E konsideroj një djalë me shumë vlera, e njoh që prej 10 vitesh, që nga periudha kur kam qenë president në fillim dhe e di se çfarë djali është prandaj po tentoj ta kthej në skuadër.
-Specialistë të ndryshëm mendojnë se zgjidhja e vetme për Vllazninë në këto momente është kthimi I shkodranëve në skuadër. E keni menduar këtë gjë?
-E kam menduar dhe e mendoj çdo ditë sepse ëndërra ime si president është të ndërtoj një ekip kampion dhe me të gjithë futbollistë shkodranë. Unë u kam bërë thirrje të gjithë futbollistëve shkodranë që luajnë në ekipet e tjera të vijnë e të bisedojnë për t’u rkthyer tek Vllaznia, megjithatë kjo do kohën e vet. Këtë ide s’do ta heq asnjëherë nga mendja ime.
-Mbase është pa shumë vend kjo pyetje (ngaqë jeni në një njëjtin pozicion edhe politik) por e konfirmoni  sërish Bushatin si trajner edhe për sezonin e ardhshëm?
-E padiskutueshme që do vazhdojë të jetë Bushati sërish trajner I Vllaznisë. Kjo ngaqë unë mendoj se vlera e një ekipi fillon nga trajneri dhe ajo çfarë kërkoj unë është të kem edhe ekipin siç kam trajnerin sepse do jem OK.
-Kampionati I ardhshëm me 12 skuadra, e mendoni më të dobët apo më të fortë?
-Uljen e numrit të skuadrave e konsideroj si positive sepse do rritet rivaliteti por nëse ndodh ndryshe që të gjithë ne do humbasim, do humbasë në rradhë të parë futbolli shqiptar.
-Dhe ndër këto 12 skuadra, ku do ta vendoste vetë Çela Vllazninë?
-Për vendin është shumë herët të flasim por unë garantoj të gjithë tifozët se do ndërtojmë një super- ekip.
Gjergj KOLA

 

-Deputet apo president? Zgjedh të parën për t’I shërbyer të dytës

Tashmë është një fakt që dihet. Prej disa ditësh, nga momenti që ka dalë lista e kandidatëve për zgjedhjet e muajit të ardhshëm, pjesë e këtyre listave është edhe Agron Çela që kandidon si numri 1 në listën emërore të forcës politike LSI për Qarkun e Shkodrës. Presidenti aktual I Vllaznisë ka nisur prej kohësh punën për këtë dhe natyrisht që tashmë ka filluar të mendojë edhe për karrierën e tij të ardhshme si deputet. Pyetja e zakonshme që lind në këtë rast është se nëse pas 23 qershorit e fiton mandatin e deputetit, a do duhet të japë dorëheqjen nga posti I presidentit? Dhe Çela është I gatshëm të përgjigjet: “Jam I bindur se do jem deputet sepse këtë e konstatoj çdo ditë nga mbështetja që më japin njerëzit. Për të qenë në rregull me ligjin, unë nuk do jem I detyruar të jap dorëheqjen nga posti I presidentit të Vllaznisë. Kjo sepse, duke iu referuar kontratës që unë kam me Bashkinë Shkodër, unë në klub kam funksionin e administratorit të parave që hedh unë nga biznesi im. Përveç kësaj, po në kontratë është edhe një pikë tjetër ku thuhet se unë në rast se shoqëria aksionere Vllaznia del me fitim, fitimi im është 0 në përqindje. Çka do të thotë se personalisht nuk kam asnjëherë shans apo rast të përfitoj nga fondet publike”. Megjithatë ekziston edhe një variant ku atij mund t’I vënë kusht, ose postin e deputetit ose atë të presidentit të Vllaznisë. I pyetur se kë do zgjidhte, Çela do përgjigjej: “Sigurisht që do zgjidhja të parin, atë të deputetit, sepse përmes tij unë do t’I shërbej shumë Shkodrës dhe jo vetëm përmes sportit, por në të gjitha fushat. Megjithatë simpatia për sportin do jetë sërish e veçantë për ta ndihmuar sepse ky është një pasion I madh për mua. Nëse unë zgjidhem deputet, asnjë dëm nuk I krijohet Shkodrës dhe sportit shkodran sepse më shumë shanse do më jepen për ta ndihmuar atë”.  Agron Çela gjithsesi duket qartë se ka filluar të mendojë për veten si deputet tashmë. Megjithatë jo larg Vllaznisë. Në postin e tij të ri, ai ka shumë projekte e disa prej tyre I bën edhe publike në këtë intervistë të tij: “Edhe në qoftë se zgjidhem deputet, nga Vllaznia s’do heqë dorë. Mbase jo me ekipin e parë, kjo varet nga marëdhëniet që do krijohen, por unë s’do heqë dorë nga projekti për stadiumin “Loro Boriçi”, nga projekti për të ndërtuar fusha dhe ambjente të tjera stërvitore për Vllazninë të cilat aktualisht I mungojnë tërësisht. Si deputet të jeni të bindur se kam për të ngritur zërin edhe më shumë për Akademinë sepse duke qenë në këtë pozicion, do t’I kërkojë herëpashere Ministrit që do mbulojë sportin për të investuar në përmirësimin e kushteve për fëmijët e Shkodrës, këtij qyteti që ka nxjerrë shumë talenta në vite duke furnizuar ekipe të tëra të kampionatit shqiptar por edhe ekipet kombëtare”.

Çela- Bushati, mes fushatës dhe merkatos

Jo vetëm presidenti I Vllaznisë por edhe trajneri I saj janë duke u marrë me politikë në këto momente. Interesant është fakti se të dy I përkasin të njëjtës forcë politike- LSI, Çela është I pari në Shkodër dhe Bushati I treti. Fakti që tashmë partitë politike po hyjnë në fazën më intensive të fushatës elektorale, do të thotë se ata të dy do jenë të angazhuar me të por në fakt Çela mendon ndryshe. “E kam të qartë se fushata elektorale do kohë të jashtëzakonshme megjithatë nuk do lë pas dore edhe disa gjëra të tjera. Kam biznesin që është pjesa kryesore e jetës sime dhe prej tij nuk mund të heqë dorë prej tij. Një pjesë e pandarë më është bërë edhe Vllaznia. Siç gjeta kohë për ju për këtë intervistë të gjatë, sigurisht që do gjej kohë edhe për bisedimet me futbollistët apo dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me Vllazninë. Atë absolutisht nuk do ta lë pas dore por të jeni  të bindur se në fillim të korrikut keni për të parë në fushën e stërvitjes një super- skuadër”- ka thënë presidenti aktual I kuqebluve.

-Përvoja e parë si president
E ka marrë ekipin shkodran në gusht të vitit 2003 pas vdekjes s ëish- presidentit Myftar Çela. Megjithatë, Agroni bashkë me disa kolegë të tij, ka arritur jo vetëm të mos lejojë shkatërrimin e skuadrës siç mendohej atëherë në Shkodër, por në fund të sezoni e renditi atë në vend të tretë duke dalë edhe në Kupat e Europës, madje duke kaluar edhe një tur. Një sezon më vonë, atë 2004-05 zuri vendin e katërt në kampionat dhe në të tretin e tij si president, atë 2005-06 zuri vendin e gjashtë në kampionat pasi vëmendja kryesore ishte përqendruar tek finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, e luajtur në Lushnje dhe e humbur 0-1. “Ende e kujtoj atë finale ndonëse kanë kaluar 7 vjet. Mbi të gjitha kujtoj ende gjyqtarin Italian Farina që drejtoi këtë ndeshje dhe që ia humbi finalen Vllaznisë”- thotë Çela. Një bilanc I pëlqyeshëm I kësaj skuadre nën drejtimin e tij në këtë periudhë trevjeçare.

-Përvoja e dytë si president
Ka nisur në fund të janarit të këtij viti pas një marëveshje që ka firmosur me Bashkinë Shkodër. Ajo do zgjasë 2 vjet e gjysëm dhe Çela ka premtuar rikthimin e Vllaznisë sërish në nivele të larta për këtë periudhë. Mbase nuk duhet gjykuar nga tre muajt e parë sepse skuadra nuk ka qenë ashtu siç duhet. Përgjegjësia e këtij presidenti është për sezonin e ardhshëm. Fakti që ai premton se do të ndërtojë një super- ekip, na bën të besojmë për këtë gjë. Njëkohësisht edhe të presim.

-“Vllazninë s’po e përdor për fushatë”
Dikush mbase mendon se presidenti aktual I klubit shkodran po mendon se po e përdor Vllazninë për fushatë elektorale, megjithatë vetë Çela e hedh në mënyrë kategorike poshtë këtë gjë. “Me Vllazninë asnjëherë nuk ka fituar askush pikë në politikë. Me të fiton pikë vetëm nëse mbush stadiumin dhe bën tifozët për vete. Unë kam investuar edhe 10 vjet më parë, atëherë nuk isha në politikë. Kjo tregon se nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë mund të thuhet. Vllaznia ka qenë dhe do mbetet një pasion I imi I madh, do jem apo s’ do jem deputet”- ka thënë ai.  

-Kush është Agron Çela?
Njihet si një nga biznesmenët më të fuqishëm në Veriun shqiptar dhe më gjerë. Drejton për herë të dytë Vllazninë (e para në vitet 2003-06) dhe po ashtu ka hedhur kandidaturën për deputet në zgjedhjet e muajit të ardhshëm. është president I kompanisë së ndërtimit “Xhenis”, ka si pronë të tij Grand Hotel “Europa” dhe po ashtu po bën një investim 50 milionë eurosh në plazhin e Velipojës. është aksioner edhe në shumë biznese të tjera. Pavarësisht të gjitha këtyre, është tifoz I Vllaznisë dhe pikërisht nga kjo, nuk ka hequr dorë kurrë prej saj.