Lajmi I publikuar ditën e djeshme në “Gazeta e Sportit”  në lidhje me kaosin financiar që mbizotëron aktualisht tek Vllaznia, e ka bërë të reagojë presidentin e saj Agron Çela. Në një prononcim për mediat, ai ka sqaruar gjithë situatën madje duke shigjetuar jo pak edhe Bashkinë Shkodër për bllokimin e një fondi të miratuar kohë më parë nga Këshilli Bashkiak. Në lidhje me këtë çështje ai ka thënë: “Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një kaos financiar tek Vllaznia siç mund të ketë dalë në media gjatë këtyre ditëve. Thjesht ka një pengim të lëvrimit të një fondi akorduar nga Këshilli Bashkiak Shkodër për klubin e futbollit Vllaznia në degën e Thesarit. Bëhet fjalë për një shumë prej 50 milionë lekësh e miratuar dhe që ende nuk është lëvruar nisur nga fakti që është kohë zgjedhjesh dhe gjithçka është e bllokuar gjatë këtyre ditëve. Me mbarimin e zgjedhjeve, besoj se Brenda pak ditësh, çdo gjë do marrë zgjidhjen e duhur.

Sa I takon pjesës time financiare të akt- marëveshjes, dua të bëj të ditur se kam qenë 100 për qind korrekt në zbatimin e saj dhe do jem I tillë deri në afatin e fundit të kësaj marrëveshje dypalëshe. Por nëse unë jam korrekt, këtë korrektësi kërkoj edhe nga ana e Bashkisë Shkodër”. Çela e ka thënë fjalën e tij. Ka pohuar se gjithçka sa I takon kontratës është zbatuar nga vetë ai dhe mbetet edhe zbatimi nga pala tjetër. Presidenti I Vllaznisë në fakt ka hije dyshimi për një pengim ndoshta të qëllimshëm të lëvrimit të fondit 50 milionësh nga ana e Thesarit gjë që ka bërë të pamundur shlyerjen e rrogave të fundit të ekipit. Nuk ka dëshirë të flasë me fjalë të ashpra në adresë të palës tjetër me të cilën është duke bashkëpunuar nga janari I këtij viti megjithatë shton: “Unë kurrsesi nuk dua të mendoj se bllokimi I lëvrimit të shumës prej 50 milionë lekësh ka qenë I qëllimshëm nga Bashkia. Marëdhëniet me këtë institucion kanë qenë shumë korrekte dhe besoj se do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen. Jam I gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin ashtu siç është I parashikuar në akt- marëveshjen mes palëve por nëse kjo nuk ndodh nga pala tjetër, do shoh se çfarë do bëj në ditët e ardhshme”. Klubi Vllaznia në janar të këtij  viti, para se të miratohej akt- marrëveshja e bashkëpunimit me biznesmenin Agron Çela, ka patur edhe një shumë të konsiderueshme borxhesh të papaguara. Për këtë, u pat miratuar në Këshillin Bashkiak një fond prej 100 milionësh për pagesën e tyre por ky fond ka qenë I pamjaftueshëm. Në kushte të tilla, ka dyshime se drejtuesit e klubit kanë “prekur” nga 100 milionëshi tjetër I miratuar për skuadrën pikërisht për të paguar këto borxhe. Këtë e thotë edhe Çela në fund të prononcimit të tij duke u shprehur: “Drejtuesit e klubit nuk duhet kurrsesi që me fondet e miratuara nga Këshilli Bashkiak të mendojnë për të paguar detyrimet e mëparshme apo dhe të tjerë që mund të dalin në ditët e ardhshme apo dhe siç ka dalë ai I Petroviç sipas shkresës së ardhur nga FIFA. Ata duhet të jenë korrekt në zbatimin e marrvëshjes dypalëshe që kemi firmosur në janar dhe nëse unë jam 100 për qind korrekt në zbatimin e saj, ashtu duhet të jenë edhe drejtuesit e Bashkisë në mënyrë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në të mirë të Vllaznisë”.
Gjergj KOLA

 

Presidenti Çela ne tribunen e “Loro Boriçit” me Troshanin dhe Gjyrezin