Cesc Fabregas ka një listë të madhe arritjesh në karrierë: Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës, Kampionatin Europian, Premier League dhe tani… dy rekorde “Guinness”.
Futbollisti katalanas ka qenë më i shpejti në historinë e Premier League, që ka grumbulluar 100 asiste. Këtë kuotë mbresëlënëse e ka arritur në 263 ndeshje kampionat dhe ajo do të shfaqet në “Guinness”-in e edicionit 2019.
Asisti i tij i 100-të në Premier League mbërriti në fitoren 4-2 të Chelsea kundër Stoke City, më 31 dhjetor 2016, kur ndihmoi Willian në shënimin e golit të dytë të ndeshjes.
“Unë nuk jam më i shpejti, as më i forti, por ky rekord në karrierën time është një nga gjërat që më bën krenar për punën time. Kjo do të thotë se kam bërë mirë,” – shpjegoi spanjolli në deklaratën e bërë për faqen zyrtare të internetit të “Guinness”.
Futbollisti është fotografuar me dy pllakata në duar, imazh të cilin e ka hedhur në Twitter. Dhe ka të drejtë të krenohet edhe me një rekord të dytë, si lojtari me më shumë pasime (asiste) në 30 sekonda, arritje që e bashkëndan me Jamie Redknapp, ish-futbollist i Liverpool (biri i Harry Redknapp).