Procesi i privatizimit të Klubit të Futbollit Vllaznia është kthyer në një kaos të vërtetë. Sa hapet një dritare, mbyllet një tjetër dhe si rrjedhojë edhe sot pas 6 muajsh nga nisja e tij, ende nuk ka një datë konkrete se kur do të përfundojë.

Pak ditë më parë, Komisioni i Prokurimit Publik shqyrtoi ankesën e biznesmenit Almiro Gurakuqi për parregullsi të autoritetit shitës, Bashkisë Shkodër në këtë proces. Në fakt, ky Komision i dha të drejtë institucionit të pushtetit lokal duke e konsideruar mëse të rregullt procesin e ndjekur prej tij.

Megjithatë biznesmeni Gurakuqi sërish nuk është ndalur këtu. Ashtu siç parashikohej në pikën 3 të vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, ankimuesi kishte të drejtë ta apelonte atë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë dhe në fakt kështu ka ndodhur.

Ai e ka ndjekur edhe këtë procedurë dhe e ka ankimuar në Gjykatë vendimin. Kjo e fundit, me një shpejtësi që në fakt lë vend për dyshime, ka caktuar datën 26 gusht, ora 09.00 për marrjen e masës për sigurimin e padisë. Që do të thotë se tashmë i gjithë procesi i privatizimit të Vllaznsië varet nga vendimi që do të marrë nesër kjo Gjykatë.

Nëse ajo e hedh poshtë padinë e biznesmenit Gurakuqi, Bashkia Shkodër do të mundet të vazhdojë procesin e ankandit dhe të shpallë fitues sponsorin aktual Alban Xhaferi, si i vetmi i interesuar që ka mbetur në garë.

Por në rast të kundërt, nëse Gjykata e quan të drejtë sigurimin e padisë, kjo do të thotë se nuk mund të kryhet asnjë veprim më tej pa dalë vendimi përfundimitar i organit gjyqesor.

Në këtë mënyrë, Vllaznisë i duhet të presë ende për të mësuar se kush do të jetë pronari i saj. Një proces që ka nisur me debate dhe me shumë mundësi do të përfundojë i tillë./SHKODRA-SPORT.COM/