Tre futbollistë të Vllaznisë dhe një drejtues i klubit sot kanë qenë në zyrat e Prokurorisë Shkodër të thirrur prej këtij organi për t’u pyetur në lidhje me çështjen “Kukësi”. Siç dihet, pak kohë më parë, pas akuzave të këshilltarit të Bashkisë Shkodër Erogen Vaso se Kukësi kishte blerë të katër ndeshjet me Vllazninë për shumën e 100 mijë eurove, ka qenë vetë klubi kukësian dhe presidenti i tij Safet Gjici që ka hapur një çështje penale ndaj këtij kundërshtari duke kërkuar dëmshpërblim për prishje imazhi.

Për këtë arsye, prokurori i ngarkuar me këtë çështje, mësohet se në ditët e kaluar e ka thirrur vetë këshilltarin Vaso për të mësuar rreth akuzave të tij ndërkohë që ditën e sotme, sipas burimeve pranë Prokurorisë, janë thirrur për të dhënë deponimet e tyre edhe tre futbollistë të Vllaznisë si dhe një drejtues i lartë i saj. Emrat për momentin nuk janë bërë të ditur megjithatë është e sigurtë se ata janë thirrur për të zbardhur të vërtetat e këtyre akuzave, nëse qëndrojnë apo jo. Por siç dihet, përveç padisë së klubit kukësian dhe të presidentit të tij Gjici, edhe klubi Vllaznia vetë, përmes administratorit Neritan Kalamishi e pat dërguar këtë çështje në Prokurori duke kërkuar zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e fajtorëve nëse ka, ose në të kundërt, ndëshkimin e atyre që kanë shpifur.

© shkodrasport.com