Laçi është ekipi i surprizave të bukura. Rezultat i menaxhimit përfekt të klubit nga presidenti Pashk Laska. Numri një i kurbinasve ecën me teorinë “pak e sak”.
Merkato e kujdesshme me elementë cilësorë, ndërthyrje mes lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë dhe i shton në fund një trajner me mjaft eksperiencë që të përzijë si duhet ingridientët. Artan Mërgjyshi po e bën si duhet punën e tij, pasi po i merr më të mirën grupit të lojtarëve.
Te ekipi kurbinas ka dhe probleme, jo gjithçka shkon si duhet, pasi së fundmi, presidenti Pashk Laska ka patur një debat me sulmuesin me eksperiencë, Xhevahir Sukaj.
Të dy kanë diskutuar me tone të ashpra dhe informacionet e fundit që mbërrijnë nga kampi kurbinas bëjnë me dije se bëhet fjalë për një krisje të madhe, thuajse përfundimtare. Trajneri Artan Mërgjyshi duhet t’i bëjë llogaritë pa shkodranin në ndeshjet e ardhshme.
Aventura e sulmuesit 31-vjeçar te Laçi duket se do të jetë shumë e shkurtër, pasi ka luajtur vetëm 2 ndeshje ku në total ka grumbulluar 44 minuta. Largimi i mundshëm i Sukajt krijon një problem tjetër në kampin kurbinas, pasi lë shumë hapësira në sulm.
Momentalisht, Laçi nuk ka një figurë identifikuese në sulm dhe po luan me Ndriçim Shtubinën. Ky i fundit nuk është një “pykë” e deklaruar, por po luan mjaft mirë. Ish-kapiteni i Vllaznisë është një futbollist polivalent dhe ka luajtur nga mbrojtja në sulm ku ka patur nevojë ekipi./telesport/