Pavarësisht dëshirës për t’I dhënë zgjidhje sa më parë situatës tek Vllaznia, ajo në fakt nuk ka filluar të lëvizë. Pritej që sot të ishte në Shkodër trajneri Raineri bashkë me stafin e tij për të filluar punë me skuadrën por kjo nuk ka ndodhur. Arsyeja që jepet nga drejtuesit e klubit është mosgjetja e biletave të avionit dhe mbërritja e tyre është shtyrë për pasditen e së premtes. Kjo do të thotë që stërvitja e parë e ekipit mund të shtyhet për të të shtunën paradite. Një situatë e tillë ka shkaktuar njëfarë pasigurie për futbollistët që duan të dinë sa më parë për të ardhmen e tyre.
Po ashtu, edhe tifozët kuqeblu presin me ankth të shohin ndryshimet e para tek Vllaznia. Mosardhja e stafit drejtues zvicerian në fakt ka edhe një dilemë në mes. Akt- marrëveshja e bashkëpunimit e firmosur në mes Bashkisë Shkodër dhe kompanisë zviceriane “Gea Sport”, për të marrë formë ligjore duhet të ketë edhe firmën e prefektit Radovani. Ky I fundit tashmë e ka në tavolinën e tij këtë kontratë dhe po studion të gjithë anën ligjore të saj. Thuhet se ka dy dilema për disa nga kushtet e kontratës megjithatë kjo mbetet për t’u parë. Pala zviceriane ka frikë nga mosfirmosja e kësaj kontrate sepse kjo nuk do të bënte të mundur dot kalimin e administrimit të klubit të futbollit Vllaznia në duart e tyre. Në rrethana të tilla, ata nuk mund të sjellin dot në Shkodër stafin drejtues për të filluar nga puna pa marrë garancinë e duhur se kontrata do firmoset. Të gjitha këto dilema gjithsesi do të marrin zgjidhje Brenda dy ditësh. Mbërritja e stafit drejtues pasditen e së premtes bashkë me disa futbollistë të huaj, do të thotë se puna tek Vllaznia ka nisur. Nga ana tjetër zëvendëspresidenti Isufi edhe sot ka vazhduar bisedimet me futbollistët shkodranë për kushtet e kontrateve dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punës tek kuqeblutë.
www.shkodrasport.com