Në rast se administrata e Vllaznisë nuk dërgon në këshillin bashkiak të Shkodrës buxhetin e rishikuar të 2020-ës atëherë asambleja e Vllaznia sh.a që praktikisht është këshilli bashkiak nuk do ta kalojë buxhetin në asamble. Pas reagimit të kryebashkiakes Voltana Ademi, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Jona Leqejza, e cila është anëtare e këshillit bashkiak të Shkodrës dhe kryetare e komisionit të kontrollit financiar të këtij këshilli.
Ajo thotë se në 7 maj të këtij viti i ka dërguar një shkresë administratës të Vllaznisë, duke i kërkuar rishikimin e buxhetit sepse ai buxhet që ishte për t’u miratuar në 5 mars, mbledhja asambleje që nuk u zhvillua për mungesë të kourimit nuk është realist në ditët e sotme për shkak të asaj që shkaktoi pandemia dhe akteve normative të qeverisë.
Leqejza shprehet se të ardhurat nuk mund të jenë të njëjtat, duke përmendur të drejtën televizive, biletat apo reklamat dhe të tjera që do të mungojnë në buxhet. Në këto kushte është kërkuar një rishikim në mënyrë që buxheti të jetë real dhe i pranueshëm në kohën në të cilin jemi. Në rast se bashkia vazhdon të mos reagojë ndaj shkresës që botohet ekskluzivisht në “Panoramasport.al”, shuma prej 44 milionë lekë të reja e buxhetit të Vllaznisë të vijojë të jetë e bllokuar. Ja intervista e plota e Jona Leqejzës:
Zonja Leqejza, lojtarët e Vllaznisë kanë bojkotuar stërvitjen për shkak se nuk janë paguar në muajt shkurt, mars dhe prill dhe shkak për këtë është bërë moskalimi i buxhetit nga ana juaj, pra asambleja. Përse nuk e keni miratuar buxhetin?
Jemi në dijeni që stërvitja e Vllaznisë është bojkotuar. Një zgjidhje duhet të ketë dhe mendoj se vullneti është pozitiv nga të dy palët. Nga pala jonë po që po. Kemi bërë një shkresë më 7 maj, ku kemi kërkuar modifikimin e buxhetit të sjellë me 5 mars që i ka paraprirë situatës së pandemisë dhe shpalljes së fatkeqësisë natyrore. Kemi kërkuar dy gjëra: modifikimin e pasqyrave financiare për t’u përputhur me standardet e kontabilitetit dhe ligjet shqiptare, gjë e cila ka qenë arsyeja pse është refuzuar miratimi i pasqyrave financiare në nëntor të 2019-ës dhe e dyta është kërkuar modifikimi i buxhetit që është paraqitur për vitin 2020.
Pse është kërkuar të ndryshohet buxheti?
Është kërkuar që të ndryshohet për t’ju përshtatur akteve normative që kanë dalë nga qeveria për shkak të pandemisë por për t’ju përshtatur edhe realitetit operacional sepse nuk dihej kur do fillonte kampionati, e drejta televizive si do shkonte, të ardhurat nga shitja e biletave që nuk janë më për shkak të kufizimeve ligjore dhe disa gjëra të tjera që të bëjnë të mendosh se ai buxhet nuk është i pasaktë për kohën kur është përgatitur por është i pasaktë për kohën kur mendohet të vlerësohet ndaj kemi paraqitur kërkesën tonë që të jetë buxhet sa më real në mënyrë që të mos gjenerojnë penalitete dhe gjëra të tjera. Ne shprehim dakordësi sigurisht për t’i miratuar sa më parë sepse nuk është në interes të askujt që Vllaznia të ketë një barrë më të madhe financiare. Deri më tani që nga 7 maji nuk kemi patur asnjë përgjigje zyrtare dhe shkresore nga bashkia Shkodër.
Kanë të drejtë bashkia Shkodër, administratori Lici dhe kryetarja e bashkisë kur fajësojnë këshillin bashkiak për këtë situatë të krijuar tek Vllaznia?
Atëherë pasqyrat financiare në 2019 nuk janë miratuar nga ana jonë sepse ekspertë të pavarur, qofshin ente publike apo private kanë shprehur rezerva për zbatimin jo korrekt të politikave kontabël që një pjesë e tyre janë edhe ligje që kanë lidhje me mirëadministrimin por edhe me vlerësimin e ofertës publike siç është Vllaznia që është një kompani me kapital publik. Pra, arsyeja e mosmiratimin të pasqyrave financiare është për mospërputhje me normat ligjore. në shkresën e datës 7 maj në bazë edhe të një hetimi që është ngritur nga një komision i caktuar po brenda këshillit është kërkuar që përveç modifikimit të buxhetit të bëhet edhe modifikimi i pasqyrave financiare për vitin 2019 por edhe 2018-ën detyrimisht.
Nëse këto ndryshohen atëherë ne miratojmë pasqyrat financiare të cilat duhen thënë nuk kanë asnjë lidhje me miratimin e buxhetit, sepse janë dy gjëra të ndara me efekte financiare të ndryshme dhe nuk shoh se njëra pengon tjetrën. Tek pasqyrat financiare nuk janë të sakta të drejtat dhe detyrimet. Ka llogari të arkëtueshme që nuk janë realiste të verifikuara nga ente audituese. Kapitali i Vllaznia sh.a është i mbivlerësuar dhe detyrimisht edhe humbjet e akumuluara janëë shumë më të mëdha se sa duhet të ishin, sepse gjithë financimet e bashkisë për Vllazninë si aksionar i vetëm janë quajtur rritje kapitali.
Në fakt organikisht nuk është dashur që të trajtohet si e tillë dhe është dashur që të trajtohet si të ardhura nga grantet ose diçka e ngjashme dhe detyrimisht edhe humbjet e akumuluara do të kishin qenë shumë më të vogla. Nëse korigjohet në QKR ky veprim humbja e akumuluar e Vllaznisë do të jetë shumë më e vogël se sa ajo që shohim sot në pasqyra financiare. Edhe në rast të privatizimin vlera e Vllaznisë do të jetë në mënyrë domethënëse më e madhe. Pra, është një humbje jo reale sepse financimi nga ortaku për shpenzime operative nuk konsiderohet rritje kapitali dhe është dashur të konsiderohen thjeshtë si të ardhura.
Në rast se bashkia ose administrata e Vllaznisë sjell buxhetin e rishikuar siç ju keni kërkuar jeni të gatshëm për ta miratuar edhe pse Vllaznia sh.a është pa këshillin mbikqyrës që ka qenë një tjetër kërkesë e juaja?
Këshilli Mbikqyrës në një situatë normale, pra pa pandeminë, shërben si garant i aksionerit dhe aksionari në këtë rast është publiku dhe jo këshilli bashkiak sepse këshilli është përfaqësues i publikut. Këshilli Mbikqyrës sidomos për kompani me ofertë publike siç është Vllaznia sh.a shërben si garant në radhë të parë për ekspertizën e fushës për të thënë që këto politika tregtare janë të sakta dhe të drejta. Në mungesë të tij ne nuk kemi tagër për të ushtruar një gjykim. Ne si asamble për të hapur rrugën që së paku marrëdhëniet kontraktuale të përmbushen i kemi thënë që paraqisni një buxhet realist dhe ne e miratojmë sepse në këtë rast nuk kemi nevojë për të gjykuar politika tregtare shumë të detajuara por kemi nevojë të gjykojmë vetëm marrëdhëniet kontraktuale reale.
Në rast se nuk ka një reagim apo përgjigje ndaj kërkesës suaj, nuk do e kaloni buxhetin?
Administrata e Vllaznisë duhet që të reagojë zyrtarisht them për të sjellë buxhetin e rishikuar.
Pra nuk ka një formë për ta miratuara nga ana ju pa rishikimin e buxhetit që kërkoni?
Jo nuk ka ndonjë formë sepse nuk është një buxhet realist. Aty parashikohen 122 milion lekë të ardhura nga të cilat 44 milion lekë janë që jepen nga bashkia pra buxheti i 2020 dhe ajo është e mirëqënë nuk diskutohet kurse pjesa tjetër që kërkojmë të rishikohen janë të ardhurat e tjera që parashikohen nga e drejta televizive, sponsorizime, bileta e të tjera. Ai buxhet duhet rishikuar me çdo kusht dhe atëherë ne jemi gati për të shprehur dakordësinë tonë.
Ju vjen keq nëse Vllaznia bie sërish nga Kategoria Superiore, sepse nëse vijon ky ngërç atëherë do aktivizohen ekipi i të rinjve U-19 siç tha administratori Lici…?
Unë them që çdo kush që është shkodran i dhemb çdo lloj problemi që mund të ketë Vllaznia dhe nuk besoj që askush që ka lidhje me Shkodrën të ketë dashakeqqësi për Vllazninë dhe them që gjitha palët duhet të jenë sa më bashkëpunuese që ta zgjidhim sa më parë. Nga ana tjetër kur gjendesh përpara disa probleme teknike dhe thelbësore nuk mundesh të hapësh rrugë thjeshtë se është një situatë e jashtëzakonshme tek Vllaznia si ky rast. Duhet të ketë një lloj kompromisi dhe racionaliteti për gjitha palët dhe ne jemi një organ ligjvënës që nuk mund ta cënojmë integritetin me të cilin kemi ardhur deri këtu.
Duhet të ketë një rivlerësim të aseteve të Vllaznisë?
Nuk është e nevojshme duke parë edhe raportin e kontrollit dhe mjafton të bëhen disa korigjime nga ana kontabël për të reflektuar realitetin. Nuk është e nevojshme, sepse Vllaznia nuk ka shumë asete domethënëse, pra që mund ta ndryshojnë shumë vlerën e ofertës publike. Më të rëndësishme janë kriteret për kompaninë apo individin që do ta privatizojë.
KËRKESA E KËSHILLIT BASHKIAK TË SHKODRËS
Për dijeni: Znj. Brisela Kadia, Kryetare Këshilli Bashkiak Këshillit Bashkiak Shkodër I nderuar Z. Lici, Administrator i K.F Vllaznia sh.a, E nderuar Znj. Ademi, Presidente e K.F Vllaznia sh.a, Ju lutem gjeni bashkangjitur raportin e hetimit të posaçëm vendosur në mbledhjen e asamblesë të K.F Vllaznia sh.a me datë 25 nëntor 2019 ku paraqesim pikat sa më poshtë:
1. Kërkesë për modifikim të pasqyrave financiare për vitin e ushtrimor 2019 dhe shifrave krahasuese për vitin ushtrimor 2018 sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit dhe sipas rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Audituesit Ligjor dhe ekspertëve të tjerë të pavarur. Sistemimi i vlerave në fjalë do të sjellë edhe miratimin e pasqyrave financiare të cilat u refuzuan për miratim nga Asambleja e aksionarëve me 25 nëntor 2019.
Duhet vënë në dukje se refuzimi për miratim erdhi për dy arsye thelbësore: e para sepse pasqyrat nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të saktë të gjendjeve kontabël të llogarive të arkëtueshme, llogarive të pagueshme, dhe sidomos të ardhurave dhe kapitalit i cili është i mbivlerësuar pasi financimet operacionale të kryera nga aksionari Bashkia Shkodër ndër vite janë trajtuar si kapital dhe jo si të ardhura nga grantet duke rritur kështu fiktivisht si kapitalin aksionar ashtu edhe humbjet e akumuluara; dhe e dyta sepse politikat tregtare të cilat përmbledhen në rezultatin financiar dhe gjendjet kontabël në pasqyrën e pozicionit financiar nuk janë të aprovuara apo të monitoruara nga një këshill mbikqyrës, organ ky thelbësor sidomos në menaxhimin e sipërmarrjeve me kapital dhe interes publik.
Ne si komision sugjerojmë miratimin e pasqyrave për vitin 2019 dhe vitin 2018 në rastin që kryhen modifikimet e rekomanduara për të çuar pasqyrat financiare në një plan më të rregullt dhe real. Gjithashtu, mos miratimi i pasqyrave, pra mungesa e një vendimarrje nga asambleja e aksionarëve ka efekte të padëshiruara administrative si pasojë e ndryshimeve në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit të cilat bllokojnë depozitimin e çdo vendimi pasues pa patur më parë një shprehje formale nga assambleja për pasqyrat (rezultatin) financiar.
Gjithashtu, vëmë në dukje se që të realizohet zvogëlimi i kapitalit si pasojë e korigjimit të trajtimit kontabël të gabuar të financimeve nga aksionari duhet marrë më parë nje vendim asambleje për zvogëlimin e tij, sugjerojmë që kjo të propozohet nga administratori i shoqërisë sa më parë dhe asambleja të shprehë një votë elektronikisht, duke patur parasysh situatën ku ende është e ndaluar mbledhja e organeve kolegjiale në ambiente publike.
Kjo do mund ti hapë rrugë korigjimit të pasqyrave për vitin 2019 dhe shifrave krahasuese të vitit 2018 sipas rekomandimeve të raportit. 2. Kërkesën për ngritjen e këshillit mbikqyrës të shoqërisë i cili ka qënë i mangët që nga mbarimi i mandatit të anëtarëve në vitin 2018. Sugjerojmë këshillit bashkiak në cilësinë e asamblesë së aksionarëve si dhe presidentes të klubit të futbollit Vllaznia sh.a të marrin masa bashkarisht për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillit mbikqyrës pasi është e domosdoshme për një shoqëri me kapital dhe interes publik të ketë një organ i cili shqyrton në formë kritike dhe aprovon politikat tregtare në cilësinë e ekspertit të fushës, ekspertizë e cila nuk duhet ti atribuohet kurrsesi as organeve ekzekutive siç është presidenti i Klubit as organeve kolegjiale përfaqësuese të publikut siç është asambleja e aksionarëve.
Gjykojmë se këtyre dy organeve u mungon tagri, ndërsa kryerja e këtij funksioni nga këshilli i administrimit, hallka e dytë e strukturës së shoqërisë përbën konflikt interesi sepse nuk mund të garantohet parimi i bona fides ndaj publikut nëse organi që ekzekuton është organi që kontrollon veten dhe rezultatet e veta. Megjithatë, duhet verejtur se në situatën e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e pandemisë nga Covid 19 nuk është e mundur dhe e udhës të ekzekutohet një vendimarrje e tillë, e cila do kërkonte kohë, takime të ndryshme me shumë aktorë dhe vetting të hollësishëm të kandidatëve të mundshëm.
Për këtë arsye, sugjerojmë marrjen e këtij vendimi në një moment të dytë së paku pas mbarimit të afatit preliminar të 23 qershorit 2020 të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Së dyti, ju bëjmë kërkesë për modifikimin e buxhetit të vitit 2020 paraqitur në thirjen e mbledhjes së asamblesë së aksionarëve me datë 7 shkurt 2020 “për miratimin e projekt buxhetit të shoqërisë për vitin 2020”. Në gjykimin tonë është e domosdoshme të modifikohet ky buxhet për të reflektuar realitetin operacional në gjendjen e bllokimit të aktiviteteve sportive dhe për të siguruar përputhje ligjore të plotë me aktet normative pasuese të gjendjes së fatkeqësisë natyrore shpallur me 24 mars 2020.
Sa më sipër, ju lutem rishikoni zërin 2 të të ardhurave, “të ardhura nga financime të tjera” dhe vlerësoni nësë është realist vlerësimi prej 34 milion Lek duke qënë se ky zë mbulon shpenzimet operative të stadiumit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka patur aktivitet në muajt mars, prill, dhe nuk dihet nëse do të ketë në vazhdim, si rregull ka edhe kosto operacionale të pa ndodhura nga mungesa e aktivitetit. Gjithashtu vlerësoni zërat 4 dhe 5 “reklama dhe sponsor” dhe “të ardhura nga shitja e biletave” që të reflektojnë në formë më realiste situatën pasi nuk pritet të ndodhin për shkak të gjendjes së pandemisë dhe masave të distancimit social, të cilat pritet të ndikojnë dhe në shoqëri dhe publik që janë burim primar i këtyre të ardhurave.
Gjykoni mundësinë e rishikimit të zërave të tjerë, në mungesë të informacioneve të tjera nuk mund të shprehim rekomandime të metejshme. Gjithashtu, ju sugjerojmë shqyrtimin e mundësisë së ndërprerjeve të marredhenjeve të punës me staf jo primar dhe kalimin e tyre në skemat e asistencës për papunësinë. Ky është një moment që duhet të tregohemi të rezervuar me financat publike dhe duhet të prioritizohen pagesat vetem marrëdhënjet kontraktuale që mund të gjenerojnë penalitete dhe padi gjyqësore të mundshme kombëtare apo ndërkombëtare.
Në gjykimin tonë, është e domosdoshme përgatitja e një buxheti realist dhe që adreson nevojat e menjëhershme të klubit të futbollit pa i gjeneruar vonesa institucionale dhe penalitete finaciare dhe morale. Ky buxhet duhet të paraqesë vetëm detyrimet për shpenzime kontraktuale që lindin nga kontratat e lojtarëve dhe kontratat sipas kodit të punës dhe për shpenzime operative fikse që nuk mund të shmangen edhe në mungesë të aktivitetit. Për rrjedhojë, një buxhet i tillë nuk do të ishtë nje reflektim i politikave apo gjykimeve tregtare, dhe nuk do të ketë nevojë për shqyrtim nga një organ tjetër mbikqyrës.
Në përmbyllje, kërkojmë: 1. Sistemimin e pasqyrave financiare sipas pikës 1 sipërcituar dhe rekomandimeve në raportin bashkangjitur brenda muajit maj 2020. 2. Përgatitjen e një buxheti të ri për vitin 2020 për të reflektuar ndryshimet në aktivitet dhe ato në kuadrin ligjor brenda muajit maj 2020. 3. Përgatitjen e përgjigjeve dhe evidencave që kërkohen në raportin e hetimit të posaçëm brenda muajit qershor 2020 për t’i raportuar asamblesë së aksionarëve mbi zbatimin e rekomandimeve të lëna nga ente të ndryshme audituese publike dhe private. Në dispozicion për çdo pyetje apo sqarim të kërkuar, Duke ju falenderuar për mirëkuptimin..