Çesk Ndoja është një ndër ata futbollistët e spikatur të viteve 70-të, atëherë kur Vllaznia bënte “ligjin” në futbollin shqiptar. I ndodhur në Shkodër këto ditë pas shumë vitesh emigrim në Gjermani, ish-mesfushori në “Studio Sport” ka dhënë një prononcim ku thekson se ka gjithmonë emocione kur rikthehet dhe pse tashmë në moshën 76- vjeçare ndjen sërish dashurinë e tifozëve në qytet. Ndër të tjera ai ndalet te Vllaznia aktuale dhe barazimi i fundit ndaj Dinamos. E ndërsa shpreh një dëshirë të madhe që ta shohë kampion ekipin shkodran në fund të këtij edicioni.
Profesor, besoj se është kënaqësi dhe nostalgji sa herë kthehesh në Shkodër?
Patjetër që po, sepse ky është qyteti im dhe pavarësisht se prej vitesh jetoj në emigrim, mendjen dhe zemrën e kam këtu. Ende emocionohem kur takoj tifozë të vjetër që më ndalojnë dhe përshëndesin. Duke më vlerësuar se çfarë kam dhënë me Vllazninë. Ndiej kënaqësi që në moshën 76-vjeçare nuk jam “harruar” për kontributin tim.
Kthehemi pak te Vllaznia e sotme, një barazim 0- 0 kundër Dinamos në ndeshjen e fundit. I drejtë?
Këtë që dua të them nuk dua të ma marrin për keq futbollistët dhe ata që ishin protagonistë në këtë duel. Personalisht ndeshja nuk më pëlqeu, pavarësisht emocioneve që kam kur luan Vllaznia. Nuk pashë një lojë të një niveli të kënaqshëm nga asnjëri ekip dhe sulme pa shumë ide. Mu duk, se të dy skuadrat ishin disi të “pajtuara” me barazimin.
Mund t’i shfrytëzonte më mirë Vllaznia ato minuta ku ishte në avantazh numerik?
Në 30 minutat e para të ndeshjes në syrin tim, Vllaznia ishte më lart se Dinamo. Duhej ta kishte shfrytëzuar momentin e mirë dhe daljen me të kuq të kundërshtarit më mirë. Por, nuk arriti ta zgjidhte ndeshjen që në pjesën e parë, duke i dhënë mundësinë për mobilizim dhe mbrojtje të mirë Dinamos.
Pse ndodhi kjo sipas jush?
Ekipi mu duk konfuz në fushën e lojës, kishte disa raste, por jo të pastra. Më tepër veprime individuale të disa futbollistëve, por që ishin të pamjaftueshme për të dalë te goli. Dinamo u mbyll mirë në 16 apo edhe 11 metrat e fundit të zonës së saj dhe tentativat e Vllaznisë vinin nga gjuajtje jashtë zone. Por siç e theksova që nuk ishin thuajse asnjëherë të rrezikshme.
Mund të flisnim ndryshe nëse Mensah do të shënonte atë rast të pastër?
Vllaznia nuk kishte shanse reale thuajse gjatë gjithë lojë. Në atë moment që u shfaq me Mensah, ai bëri gjithçka mirë përveç finalizimit. Shpejtësia dhe intuita ishte e duhura, por u vonua shumë në ekzekutim dhe i la kohë portierit për reagim. Por edhe ndëshkimet me kartona për të dy ekipet besoj se ia humbën bukurinë dhe befasinë ndeshjes.
Nivel i Vllaznisë, në syrin tënd, a ju kënaq?
Realisht unë e prisja ndryshe Vllazninë, por unë ndoshta kam ngelur pas në kohë (qesh). Futbolli i Vllaznisë në të shkuarën ka pasur fantazi, shpejtësi dhe dinamikë. Këto më duket se mungojnë te Vllaznia e ditëve të sotme. Por futbolli ka ndryshuar kudo e ndoshta ka prekur edhe ekipin tonë. Që gjithsesi duhet thënë se ka pasur suksese dhe po luan për zonat e larta të renditjes.
Kulmi i juaj në karrierë, por edhe Vllaznisë është viti 1972, ku ekipi fitoi Kupë dhe kampionat. Mund të përsëritet këtë sezon?
Nuk mund të bëj krahasime brezash sepse ai në të cilin unë isha pjesë, ndoshta ishte më brilanti i historisë së Vllaznisë. Ishim ekipi i parë në histori që fituam Kupë dhe kampionat brenda sezonit. Por, histori dhe kohë tjetër prandaj nuk mund ta krahasoj. Thjesht uroj që Vllaznia këtë sezon të paktën të jetë fituese në kampionat. Titulli mungon prej vitesh në qytet e sezonet kalojnë si “uji” edhe për tifozët e zjarrtë shkodranë, që “vuajnë” për një titull kampion. Prandaj me zemër shpresoj që ky të jetë sezoni i duhur.
Do jeni në stadium këtë fundjavë ku Vllaznia pret Elbasanin. Si e parashikoni?
Me sa di unë edhe Elbasani ka ndërtuar një ekip të fortë pavarësisht se ndoshta nuk është në formën më të mirë. Po ashtu është edhe kundërshtari në Kupë, prandaj Vllaznia t’ia marrë “masat” që në kampionat. Besoj se para tifozëve të saj në Shkodër, Vllaznia nuk gabon dhe do marrë pikët e plota kundër elbasanasve.