Prej 26 vitesh ndodhet në Gjermani por mendja dhe zemra është në Shkodër, është tek Vllaznia e tij. Çesk Ndoja, ish- futbollisti i shquar i kësaj skuadre në vitet ’70, pjesë e një brezi të shkëlqyer që i solli këtij qyteti dhe këtij klubi disa trofe, ndjehet keq kur sheh skuadrën e tij të zemrës të vuajë. Po ashtu, kur sheh shkallët e stadiumit të boshatisura.

“Duke qenë se jetoj prej vitesh jashtë, sigurisht që nuk jam në dijeni të problematikave që mund të shoqërojnë Vllazninë por di të them se nuk mund ta pranoj faktin që ajo prej disa sezonesh endet në vendet e fundit të tabelës së renditjes. Skuadra aktuale ndodhet larg pritshmërisë së shkodranëve. Di të flas të paktën për periudhën kur kam luajtur unë, Vllaznia nuk ka rënë poshtë vendit të tretë në renditje. Po ashtu, braktisja e stadiumit nga tifozët është një fakt shumë shqetësues. Tifozët shkodranë kur luanim ne, vinin me dhjetëra dhe me qindra deri në Tiranë me biçikleta për të na mbështetur. Ndërsa sot, numri i tyre edhe në ndeshjet që luhen në Shkodër është shumë i vogël. Përderisa ata janë larguar nga shkallët e stadiumit kuptohet se janë të pakënaqur me ecurinë e skuadrës dhe me lojërat që ajo zhvillon. Ato që kanë diçka në dorë, duhet patjetër që të bëjnë diçka në mënyrë që Vllaznia të shkojë sërish në vendin që i takon”- është shprehur ish- mesfushori i Vllaznisë Çesk Ndoja.
© shkodrasport.com