Viti i parë pa Kristiano Ronaldon u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme për Realin e Madridit: zero tituj. Ndoshta kjo mund të mendohej nëse rikujtojmë se ky grup mund të jetë i tejngopur nga sukseset, aq më tepër pas fitores për 3 vite me radhë të Ligës së Kampioneve, por ka edhe shifra që tregojnë se Florentino Perez nuk duhej të linte kurrë Kristianon që të largohej.

Vetëm pak ditë më parë, ai u vlerësua nga “Marca” me titullin “Legjendë” dhe duke parë statistikat e 18 viteve të fundit, ndoshta e meriton këtë vlerësim. Arsyeja?

Kampionatin e fundit, Reali i Madridit e mbylli me vetëm 63 gola të shënuar. Një “mizerje”, duke menduar se La Ligan e mëparshme (sezoni 2017-2018), në të cilin Ronaldo mungoi në 11 ndeshje nga 38, Reali arriti që të realizonte 94 gola.

Por, nëse i futemi më tepër studimit, të paktën në nëntë vitet që portugezi qëndroi në Madrid, shifrat tregojnë se në asnjë rast, nga 2017 e më parë, Reali nuk ka zbritur kurrë poshtë shifrës së 100 golave në kampionat.

Dhe kjo, pikërisht falë 34-vjeçarit portugez, i cili ishte nga ata lojtarë që garantonte 40-50-60 gola në sezon dhe një futbollist të tillë është e vështirë që ta zëvendësosh.

Këtë gjë Reali sivjet nuk e ka bërë as me Eden Hazardin, por akoma më pak me Luka Joviçin. Madje, nëse në nëntë vitet me Ronaldon, në sezonin e kaluar, Reali i Madridit ka shënuar 30-40 për qind më pak gola, Ronaldo tregon se ka ditur që ta ngrejë këtë skuadër pas mbërritjes së tij, pasi edhe në 8 sezonet përpara se ai të zbarkonte në “Santiago Bernabeu”, Reali i Madridit nuk ishte ngjitur asnjëherë në shifrat sezonale që garantonte ekipi me CR7-ën në fushën e lojës.

Prandaj, edhe pse media spanjolle e ka vlerësuar me titullin “Legjendë”, fatkeqësisht Reali i shiti Juves një legjendë të gjallë, që nuk diti ta zëvendësonte.