Kjo është pyetja që shtrohet më së shumti ditët e fundit në ambjentet brenda klubit të futbollit Vllaznia por edhe rreth e rrotull atij. Polemikat në distancë në mes kompanisë “Gea Sport” dhe Bashkisë Shkodër, pritet të marrin një zgjidhje përfundimtare më datën 12 tetor.

Ndoshta edhe mund të shtyhet sërish, mbase edhe mund të ketë një “rilindje” të re në marëdhënien mes tyre. E domosdoshme është që kjo situatë të marrë fund njëherë e mirë. Presidenti i Vllaznisë Roberto Nava është natyrisht i pakënaqur për mënyrën si janë administruar gjërat tek klubi dhe mund të ketë të drejtë për këtë, por edhe mund të mos ketë.Nëse gjërat nuk i kanë pëlqyer në administrim, e ka patur të thjeshtë zgjidhjen: Ardhjen në Shkodër, mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës ku ai dhe kompania e tij kanë shumicën dhe shkarkimin e njërit apo tjetrit punonjës të klubit. Por nga ana tjetër, nuk ka arsye pse të veprojë në këtë mënyrë sepse ka qenë i pari që nuk ka zbatuar kontratën e firmosur në korrik të këtij viti duke mos depozituar në numrin e llogarisë së klubit as garancinë 35 mijë euroshe që përfshinte garancia dhe as këstet mujore të këtyre dy muajve. Më datë 10 të këtij muaji, bëhet i treti këst për t’u paguar dhe prandaj kryebashkiaku Luka duket se ka dashur ta presë deri më datë 10. Madje edhe dy ditë më shumë, më 12 ngaqë i takon fundjavë dhe nëse sërish paratë nuk kalojnë në numrin e llogarisë së klubit, kontrata automatikisht do prishet. Nëse ndodh kështu, në mbledhjen e fundit të tetorit të Këshillit Bashkiak Shkodër, do miratohet prishja e kontratës së bashkëpunimit me kompaninë “Gea Sport” dhe detyrimisht do duhet miratuar një fond për klubin. A do ndodhë kështu. Palët për momentin kanë mbetur në distancë. Flitet se këto ditë do mbërrijë në Shkodër një avokat i zotit Nava. Nuk dihet arsyeja e kësaj vizite, për të biseduar për zgjidhjen e kontratës me mirëkuptim apo për ndonjë marrëveshje të re në mënyrë që ajo të mbetet ende në fuqi. Pavarësisht kësaj, ndonëse jo direkt, një situatë e tillë po ndikon së tepërmi tek skuadra. Futbollistët e stafi ende nuk e dinë se prej kujt paguhen. Në fakt drejtuesit e Bashkisë Shkodër disa herë u kanë thënë se nuk duhet të merren me këtë çështje pasi kontrata e firmosur do respektohet megjithatë ka frikë. Çfarë do ndodhë pas 12 tetorit? Për momentin, askush nuk e di, me përjashtim të dy personave, Lorenc Lukës dhe Roberto Navës.
© shkodrasport.com