Mbrëmja e sotme do të jetë e pasur me miqësore luksi. Duelet janë të shkallës më të lartë dhe kombëtaret më prestigjioze të planetit që do të sfidojnë njëra-tjetrën.

Pavarësisht se janë vetëm ndeshje miqësore, adrenalina është gjithnjë e pranishme kur në fushë zbresin, Gjermania, Brazili, Spanja, Argjentina apo edhe Anglia e Italia.

“Pancerat”, pas barazimit me kombëtaren iberike, do të presin ne “Olympiastadion” të Berlinit kombëtaren e Brazilit.

Herën e fundit që këto dy skuadra janë përballur u shënua në një event historik, ku gjermanët triumfuan me shifrat e thella 7-1 në gjysmëfinalen e Botërorit të Vitit 2014, që po luhej pikërisht në tokën e sambës.

Trajneri i kampionëve të botës Joachim Low nuk do të ketë të gatshëm Mesut Ozil, Emre Can dhe Thomas Muller, të tre këta futbollistë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë rikthyer në klubet e tyre.

Në këtë mënyrë në fazën e avancuar tekniku 58-vjeçar pritet të aktivizojë treshen, Sane- Goretzka –Draxler, në mbështetje të sulmuesit kryesor Sandro Wagner.

Në anën tjetër nuk do të kryejë shumë ndryshime trajneri i “pentacampeonëve” Tite. Nën modulin 4-3-3, në mesfushë pritet të rreshtohen Fernandinho, Casemiro e Paulinho, ndërsa tredhëmbëshi ofensiv do të përbëhet nga Willian, Gabriel Jesus dhe Coutinho.

Gjermania do të kërkojë ta dërgojë në 23 numrin e takimeve pa humbje, megjithëse nuk parashikohet ta ketë rrugën e shtruar kundër një prej kombëtareve pretendente në Botërorin e Rusisë.