Partizani sot pasdite është mundur nga Skënderbeu me rezultatin 0-2, humbje e cila e ka zbritur atë nga vendi i parë i renditjes. Ajo që të bën përshtypje edhe në këtë takim është mosaktivizimi asnjë minutë i mesfushorit me tipare sulmuese, shkodranit Erald Çinari.

Ndonëse të kuqtë kishin tre vite që bënin çmos për ta marrë këtë lojtar dhe e bën realitet në fund të merkatos së verës, tashmë që e kanë në rradhët e tyre, nuk po ia shfrytëzojnë si duhet aftësitë e tij.

Ka ndodhur kështu, edhe në takimin ndaj Skënderbeut kur 23 vjeçari shkodran nuk u aktivizua për asnjë minutë. Korçarët shënuan golin e parë në minutën e 64-të dhe pas këtij momenti, të kuqtë bënë maksimumin për të barazuar.

Trajneri Gega bëri edhe zëvendësimet e duhura për t’i dhënë frymëmarrje ekipit, duke aktivizuar fillimisht Koten, më pas sulmuesin shkodran Hebaj në ’77 dhe të tretin koreanin Hyon në ’81.

Diçka e pakuptimtë kur sidomos në krahasim me Koten dhe Hyon, Çinari shquhet për më shumë aftësi sidomos në manovrën sulmuese. Megjithatë trajneri Gega nuk e ka të arsyeshme ta aktivizonte.

Të ketë diçka personale me këtë futbollist apo ky i fundit nuk ka formën e duhur sportive? Mbase, më shumë ekziston e para por gjithsesi ky është një problem që ekziston tek skuadra e kuqe.
© shkodrasport.com