Klubet e Premier Ligës po presin shortin e fazës së grupeve të Champions-it më 29 gusht me ankthin se mund të bëjnë pjesë në një grup ferri.

Liverpuli, Mançester Siti, Çelsi dhe Totenhemi do të mbajnë flamurin e Anglisë në kompeticionin kryesor elitar të klubeve, që u dominua nga ekipet e Premier Ligës sezonin e shkuar, duke prodhuar një finale 100% britanike, Liverpul-Totenhem. Pavarësisht se “Spërsat” janë nënkampionët e Europës, ata janë i vetmi klub ishullor që nuk do të jenë në vazon e parë, duke pasur rrezikun më të lartë për të përfunduar në një grup të tmerrshëm.

Por këtij fati mund të mos t’i shpëtojnë as kampionët e Europës, Liverpuli, fituesit e Ligës së Europës, Çelsi dhe kampionët e Premier Ligës, Mançester Siti. Në skenarin më të keq të mundshëm, ato mund të përballen në të njëjtin grup me Realin e Madridit, Interin dhe Lajpcigun. Barcelona, Bajerni i Mynihut, Juventusi, PSG-ja dhe Zeniti i Shën Pjetërburgut, janë të vetmet skuadra që do të shmangen për shkak se së bashku me klubet angleze, janë konfirmuar në vazon 1. Ndërkohë që skuadra e Poçetinos do të peshkojë padyshim një prej tyre.

Ashtu siç gjërat qëndrojnë, Reali i Madridit, Atletiko e Madridit, Borusia e Dortmundit, Napoli, Shahtjor Donjecku, Ajaksi i Amsterdamit dhe Benfika pritet t’u bashkohen “Spërsave” në vazon 2. Totenhemi është e vetmja skuadër që Liverpuli, Mançester Siti dhe Çelsi nuk do të përballen, ndërkohë që dy gjigantët e Spanjës, Dortmundi dhe gjysmëfinalistët e sezonit të shkuar, Ajaksi, janë mes ekipeve që ata do të duan të shmangin. Grupit të tyre do t’i shtohet edhe një skuadër e vazos së tretë që mund të jetë Lioni, Bajer Leverkuseni, Salcburgu, Olimpiakosi, Klub Bryzhi, Valencia, Interi apo Dinamo e Zagrebit.

Vazo e katërt e paraqet rrezikun më të lartë prej Lajpcigut, edhe pse gjigantët turq të Gallatasarajit mund të jenë një kockë e fortë gjithashtu. Lokomotiva e Moskës, Jang Bojsat/ Ylli i Kuq i Beogradit, Genku, Sllavia e Pragës, Atalanta dhe Lila do të jenë gjithashtu në vazon e katërt. Tre vazot e fundit nuk janë konfirmuar ende në pritje të përfundimit të “play-off”- eve javën tjetër. Ajaksi siguroi një barazim 0-0 në ndeshjen e parë kundër APOEL-it.

Dinamo e Zagrebit mposhti pastër 2-0 Rozenborgun, Sllavia e Pragës siguroi një avantazh 1-0 ndaj Kluzhit, ndërsa Jang Bojs-Ylli i Kuq i Beogradit përfundoi 2-2. Olimpiakosi është me një këmbë në fazën e grupeve, pasi shkatërroi në Pire 4-0 rusët e Krasnodarit, ndërsa Klub Bryzhi mposhti 1-0 Laskun.