Simone Inzagi e di rëndësinë që ka sfida me Porton për Interin. Por ai kujton gjithashtu se tifozët zikaltër duhet të vlerësojnë hapat gjigand që ka bërë klubi në dy vitet e fundit duke u kualifikuar në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve. Këtë mendim ai e përsëriti në konferencën e sotme për shtyp, ku theksi se skuadra kishte bërë mirë dhe shpresonte që tanimë të hidhte hapin e radhës.
“E dimë se çfarë rëndësie ka kjo përballje. Në rrugëtimin tonë kemi bërë ndeshje të këtij lloji, këtu mendoj sfidat me Liverpulin apo ato me Barcelonën e Bajernin në grupe. Nesër do të na duhet më shumë koka, në këtë nivel duhet ta përdorim në momente të ndryshme për të dalë nga disa situata si skuadër.
Janë 180 minuta, raundin e parë e luajmë në shtëpinë tonë dhe duam të bëjmë një ndeshje në vrapim, agresivitet, vendosmëri, duke e ditur që kemi përballë një kundërshtar me vlerë të jashtëzakonshme që ka bërë shumë mirë ndaj skuadrave italiane në vitet e fundit. Kujtoj Milnain, Juventusin, Romën e Lacion. Shpresoj që të ndryshojmë trendin, po mundohemi që të përgatitemi sa më mirë.
Të mos harrojmë që kjo skuadër nuk mbërrinte në këtë fazë të Ligës së Kampioneve prej 11 vitesh radhazi, vitin e kaluar ndaj Liverpulit ishte një palestër e jashtëzakonshme dhe ka keqardhje të madhe për si shkoi sfida e parë. Disa ndeshje të caktuara na bëjnë të rritemi në shumë komponentë. Nesër kemi besim por edhe respekt ndaj kundërshtarit.
Lukaku e Brozoviç? Janë shumë mirë, po rikuperojnë aspektin fizik. Brozoviç ka qenë shumë gjatë jashtë dhe përtej periudhës së Botërorit, tani po përmirëson minutazhin në fushë, Me Udinezen ka bërë mirë. Lukaku po punon prej më shumë kohe dhe po përmirësohet, po përkushtohet shumë. Nesër do të mendoj të bëj më të mirën për Interin, kush nuk e nis nga fillimi, do të jetë i dobishëm gjatë ndeshjes. Në ndeshje si kjo, minutat e fundit janë ato në të cilat mund të verifikohen aksione vendimtare apo të gjenden hapësira për t’u shfrytëzuar”, tha ndër të tjera Inzagi para gazetarëve në vigjilje të sfidës.