Mbrëmjen e kësaj të mërkure do të përcaktohen katër çerekfinalistet e fundit në Ligën e Kampioneve. Padyshim vëmendja më e madhe do të jetë te përballja spanjolle, në derbin madrilen, mes Atletico-s dhe Real-it.

Skuadra e Ancelotti-t fitoi 2-1 në takimin e parë në shtëpi, por këtë herë e pret një tjetër përballje e zjarrtë. “Los Colchoneros” nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit.

Skuadra e Simeone-s nuk njeh humbje në 14 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions dhe për këtë arsye pritet të jetë një përballje shumë e luftuar.

Kjo do të jetë hera e katërt që Atletico dhe Real-i përballen këtë sezon. “Los Blancos” numërojnë vetëm një fitore, atë të javës së kaluar, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim 1-1. Ndeshja në “Metropolitano”, do të jetë si një finale e parakohshme, ku spektakli është i garantuar.

Përballje pa shumë histori pritet të jetë ajo mes Arsenal-it dhe PSV Einthoven. Anglezët fituan takimin e parë me rezultatin 7-1 dhe e kanë siguruar kualifikimin. Për këtë arsye ndeshje do të ketë vetëm vlerë statistikore, pasi është e pabesueshme të mendosh për një përmbysje.

Thuajse të sigurt e ka kualifikimin edhe Aston Villa. Skuadra angleze triumfoi 3-1 në ndeshjen e parë në Belgjikë ndaj Club Brugge dhe vjen e qetë në këtë përballje. Miqtë do të kërkojnë të bëjnë surprizën e madhe, diçka që e kanë arritur shpesh këtë sezon.

Këto takime do të luhen në orën 21:00, ndërsa me herët, Lille pret në shtëpi Dortmund-in. Sfida e parë mes këtyre dy ekipeve u mbyll në barazim 1-1, ndërsa ka mbetur gjithçka e hapur për kualifikimin. Në një përballje si kjo është e vështirë të zgjedhësh një favorit dhe për këtë arsye mbetet e gjitha për t’u shijuar.