Një gol i shënuar në minutat shtesë të ndeshjes i ka dhënë fitoren Vllaznisë së femrave në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Asim Ferhatoviç” të Sarajevos së Bosnjës ndaj kampiones vendase të SFK2000. Autorja e këtij goli ka qenë, e zakonshmja Megi Doçi e cila ka shënuar në minutën e 92-të.

Një gol ky që i ka dhënë një fitore shumë të rëndësishme Vllaznisë pikërisht ndaj njërës prej rivaleve të saj, Sarajevos. Me fitoren e sotme, vajzat shkodrane hedhin një hap shumë të rëndësishëm për kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Megjithatë përcaktuese për ta do të jetë ndeshja e pas tre ditëve, ajo me PAOK të Selanikut dhe në rast fitoreje ndaj saj, vajzat kuqeblu sigurojnë kalimin në turin tjetër.
Kampionia e Shqipërisë ka luajtur me këtë formacion në ndeshjen e sotme:
Vllaznia femra: Gardijan, Bajraktari, Rrahmani, Gjini, Maliqi, Jashari (Koldashi 74′), Paviçeviç (Kadolli 93′), Maksuti, Franja, Doçi, Muja (Muja 59′).Tr: N. Leka

© shkodrasport.com