Vllaznia në futboll për femra ka gjetur fitoren e parë të këtij edicioni të Ligës së Kampioneve të Europës.

Ajo ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj kampiones së Estonisë Parnu, në takimin e luajtur pasditen e së premtes në Sarajevë të Bosnjës.

Me këtë fitore, kampionia e Shqipërisë rihyn në garën për kualifikim në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian.

Shanset në fakt nuk janë shumë të mëdha megjithatë do ta provojë deri në fund. Fitorja e sotme ndaj estonezeve u ka dhënë moral vajzave kuqeblu.

Në fakt ata nuk e kanë nisur mirë ndeshjen. Në minutën e 12-të e kanë parë veten në disavantazh por kjo do të zgjaste vetëm 5 minuta sepse do të ishte kapitenia Franja që do të barazonte shifrat.

Me këtë fitore do të mbyllej pjesa e parë e këtij takimi. Në fillimin e pjesës së dytë, Vllaznia do të kalonte në avantazh me anë të mbrojtëses Gjini.

Ndonëse u krijua ideja se Parnu mund të barazonte, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Në minutën e 80-të Megi Doçi do të shënonte edhe golin e tretë që do të vuloste rezultatin përfundimtar të këtij takimi që u mbyll me shifrat 3-1 në favor të ekipit shqiptar.

Në këtë mënyrë, me këtë trepikësh Vllaznia hap rrugën për në kualifikim.

Ajo ka për të zhvilluar edhe një ndeshje të fundit pas dy ditësh ndaj kampiones së Moldavisë e cila praktikisht konsiderohet një kundërshtare e kalueshme dhe në rast të marrjes të një tjetër fitoreje, do të presë pastaj edhe rezultatin e ndeshjes së Sarajevos që është pretendenti kryesor për zënien e vendit të parë.

www.shkodrasport.com