Nga Shkodra vjen futbolli i bukur, vjen futbolli plot emocione dhe me kualitet të lartë në kampionatin tonë, vjen futbolli BIO. Vjen sepse në Shkodër ka një burim të pashtershëm talentesh, që furnizon të gjitha ekipet e Superiores dhe ato kombëtare. 19-vjeçarët shkodranë u shpallën kampionë të vendit sezonin e fundit dhe tani kanë siguruar edhe një arritje historike.
Vllaznia U-19 do të marrë pjesën në Champions League për të rinj, apo ndryshe Europa Youth League, duke qenë skuadra e parë shqiptare që shkon në këtë kompeticion. Në stol ka pasur ndryshime, pasi vendin e Elvin Beqirit e ka zënë Luan Zmijani. Natyrisht, merita është e të gjithëve bashkë në kampin shkodran, por ai që ka këmbëngulur më shumë është drejtori i akademisë së Vllaznisë, Alban Hasani. Në një intervistë enkas për portalin “Vip sport” ai tregon si u arrit kjo pjesëmarrje. Eshtë i sigurt se në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, do të jetë një atmosferë ë mrekullueshme.
Z.Hasani, Vllaznia U-19 është skuadra e parë shqiptare që do të marrë pjesë në UEFA Youth League. Si u arrit kjo pjesëmarrje historike?
Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për futbollin e qytetit tonë, speciale për Vllazninë dhe për Shkodrën. Para pak kohësh, kur flisja me njerëz të ndryshëm për këtë çështje, askush nuk ma merrte seriozisht. Nuk i kushtonin rëndësi, ndoshta duke menduar se është diçka e pamundur dhe më quanin “të marrë”, por tani është realitet dhe të gjithë ne që punojmë për Vllazninë jemi të lumtur. Kishte vështirësi për të siguruar pjesëmarrjen dhe dua të falënderoj drejtuesit e FSHF-së, veçanërisht z.Duka, që na ndihmuan në këtë drejtim.
Si funksionin tani, cila është rruga që do të ndiqet?
Më datë 29 gusht do të jemi në Nion, bashkë me drejtorin sportiv të klubit, Eugent Zekën, për të marrë pjesë në hedhjen e shortit. Do të luhen dy ndeshje, me sistemin vajtje-ardhje. Ndeshja e parë do të luhet më 27 shtator, kurse e dyta më 17 tetor.
Çfarë dëshirash keni për shortin?
Dëshira ime është që të na bjerë një ekip me shumë emër, si Inter apo Ajax. Sepse është diçka shumë pozitive për këta djem të rinj. Në të tilla ndeshje u jepet mundësia për t’i parë dhe vëzhguar nga menaxherë të ndryshëm të skuadrave të mëdha dhe më pas mund të shiten në Europë.
Cila është përbërja e ekipit dhe elementët më të spikatur të tij?
Ekipi është i përbërë nga 3 breza lojtarësh, të datëlindjes 1998, 1999 dhe 2000. Të gjithë lojtarët janë të mrekullueshëm, por do të veçoja si më të spikatur Milotin, Pusin, Hysenajn dhe Isufin.
Keni mbështetjen e duhur nga klubi dhe si do ta organizoni ndeshjen si pritës?
Po, e kemi mbështetjen e duhur nga të gjithë drejtuesit e kluit dhe të bashkisë. Ndeshjen në Shkodër do ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse ne e kemi përvojën, kemi emrin, kemi qytetin dhe tifozët më të mirë në Shqipëri. E ku ka më bukur se Shkodra… Jam i bindur se këta djem do të sjellin emocione të mëdha.
Cili është vlerësimi juaj për punën e ish-trajnerit Beqiri?
E falënderoj shumë për punën e bërë Beqirin, por edhe Kaçin. Janë djem shumë punëtorë dhe korrektë.