Dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Flamurtarit mund t’i kushtojë jo pak sulmuesit kryesor të Vllaznisë Charles Atsina. Ai ka ndjerë dhimbje në gju dhe për rrjedhojë mund të mungojë të paktën në tre ndeshjet e mbetura për t’u luajtur deri në fund të këtij viti. Ka qenë minuta e 10-të e ndeshjes së para dy ditëve në Vlorë kur ai kërkoi zëvendësim sepse nuk mund të luante për shkak të dhimbjeve që po ndiente. Edhe sot, mësohet se 28 vjeçari nuk është stërvitur me grupin dhe në ditët në vijim do të ketë edhe një ekzaminim të dëmtimit për të parë shkallën e tij.
Vllaznia në fakt “nuk ia ka parë hajrin” këtij sulmuesi i cili ka shënuar vetëm dy gola në ndeshjen e luajtur në Kukës dhe kaq. Në javët e para të kampionatit pësoi një dëmtim, çka e la jashtë për disa ndeshje dhe në momentin kur erdhi trajneri Gjoka i dha besim. U krijua përshtypja se do ishte një sulmues që do të zgjidhte hallet e kuqebluve në sulm, por jo. Ai ka shfaqur dobësi të theksuara para portave kundërshtare dhe jo vetëm kaq, dëmtohet sërish dhe e ka mbyllur mesa duket këtë vit.
© shkodrasport.com