Që kur u hodh shorti i këtij turi në Nyon të Zvicrës dy muaj më parë Chelsea – Barcelona u konsiderua me të drejtë si një ndër përballjet më interesante dhe pas katër sfidave të para Chelsea – Barça është pikërisht edhe takimi që çel javën e dytë të ndeshve të fazës së 1/8 në Champions League.
Dy klubet kanë krijuar një rivalitet sa të egër po aq edhe të veçantë, teksa bëhen gati për t’u ndeshur për herë të 13-ë në historinë e Champions-it.
Për hir të së vërtetës gjërat kanë ndryshuar shumë që nga 11 dhjetori dhe kampionët në fuqi të Premier League-s angleze kanë rrëshqitur në vendin e katërt, me plot 19 pikë më pak se City i Guardiolës, ndërsa Barça në krahun tjetër krejt, ndryshe nga c’mendohej në fillim të sezonit, është duke dominuar futbollin spanjoll.
Për të dy ekipet ky duel vlen jashtëzakonisht shumë, pasi skuadra “blaugrana” kërkon lavdinë e humbur në Kontinentin e Vjetër, për më tepër në një periudhë kur rivalët e urryer të Realit kanë koleksionuar 3 nga 4 edicionet e fundit të kupës me veshë të mëdhenj.
Pavarësisht se në letër skuadra e Valverdes krijon natyrshëm idenë se është dukshëm favorite, me vetëm 1 Champions në 6 edicionet e fundit praktikisht Barça ka bërë po të njëjtën gjë që ka arritur edhe Chelsea, madje “blutë” e Londrës duken tepër të motivuar, për të shpëtuar një sezon deri tani vërtet zhgënjyes.
Mbi të gjitha lojtarët e Chelsea-t kanë në dorë fatin e vetë trajnerit të tyre, Antonio Conte, që me shumë gjasa nuk do të kursehet aspak në rast të një dështimi për të kaluar në tetë skuadrat më të mira të këtij aktiviteti.
Gjërat nuk janë të thjeshta sidoqoftë as për Barcelonën, që te Chelsea gjen një kundërshtar që i ka bërë dëm ndoshta në momentet më të mira.
“Blutë” kryesojnë bilancin e përgjithshëm të fitoreve 4 me 3, ndërsa 5 herë këto dy ekipe janë ndarë në barazim, gjithsesi këtë herë Barcelona ka favorin e faktorit fushë, pasi Chelsea e mbylli fazën e grupeve në vendin e dytë, prapa Romës.
Duke lënë mënjanë përballjet në fazën e grupeve gjithsesi është Barça që udhëheq 3-2 kur bëhet fjalë për çështjen e kualifikimit, megjithëse aty figuron një ndeshje famëkeqe, ajo e 6 majit të vitit 2009 në “Stamford Bridge”, ku vendimet tepër të diskutueshme të gjyqtarit norvegjez Ovrebo favorizuan në fund ekipin “blaugrana”, sepse Barcelona e Guardiolës ndonëse me 10 futbollistë shënoi në 93′ me Iniestën, praktikisht me të vetmen gjuajtje në kuadrat, duke mbyllur më pas vitin 2009 me plot 6 trofe, si asnjë klub tjetër në gjithë historinë e futbollit.
Një duel mbi të gjitha tepër interesant për të parë gjithashtu edhe rendimentin e Messit ndaj mbrojtjes së Chelsea-t, sepse 5 herë fituesi i Topit të Artë ka dështuar për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm, ndaj “bluve” në 655′ apo 8 ndeshje gjithsej, për më tepër edhe vetë ekipi katalanas nuk njeh fitore në shtatë përballjet e fundit ndërmjet tyre.
Takimi tjetër është Bayern Munich – Besiktas, me dy klubet që përplasen për herë të parë pas dy dekadave. Asokohe ekipi bavarez i fitoi të dy takimet në fazën e grupeve pa shumë probleme me rezultatin e njëjtë 2-0, sidoqoftë këtë herë diferencat ndërmjet tyre janë ngushtuar ndjeshëm.
Skuadra e Jupp Heynckes i përfundoi takimet në fazën e grupeve në vendin e dytë pas Paris SG, ndërsa klubi nga Stambolli ishte një nga katër ekipet që e mbyllën fazën e parë pa asnjë humbje, bashkë me Liverpulin, Totenhamin dhe Barcelonën, gjithsesi pavarësisht komunitetit të madh turk në Gjermani 13 fitoret radhazi në të gjithë kompeticionet jo vetëm që e bëjnë favorit ekipin bavarez por gjithashtu kanë rritur ndjeshëm besimin edhe në kurorëzimin e këtij sezoni me që të tre trofetë.