Juventusi ka zyrtarizuar pak minuta më parë afrimin e Sarrit në krye të skuadrës, ndërsa me mjaft interes e ka ndjekur këtë lëvizje dhe mbrojtësi Elseid Hysaj. Shkodrani është i larguar nga Napoli dhe ka shumë dëshirë të bashkohet me ish-trajnerin e tij, e aq më tepër në ekipin kampion të Italisë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka pas vetes dhe Atletico Madridin e Interin, por oferta e parë e madrilenëve është refuzuar nga skuadra napolitane. Sarri do të vijë me dorë të hekurt në Torino dhe Joao Cancelo e ka mësuar se nuk ka vend në skemat e italianit.

Hysaj është emri i parë në listë që pritet të zëvendësojë futbollistin portugez. Afrimi i Sarrit në Torino bën që merkatoja të marrë tjetër drejtim. Shkodrani do të martohet në qershor në Shkodër, por kontratën me Juventusin mund ta nënshkruajë dhe prej kalasë së Rozafës… /telesport/