Sokol Cikalleshi ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“. Ndeshjet e Kombëtares po afrojnë dhe ndaj Anglisë priten ndryshime në sulm. Cikalleshi tregon se ende nuk ka provuar të luajë përkrahë Armando Brojës në fushë dhe një dyshe e tillë mund të vijë në dy takimet e radhës të kuqezinjve.
Sulmuesi shqiptar ndan vetëm vlerësime pozitive për talentin e huazuar te Southampton-i, ndërsa sa i përket pozitave në grup e sheh hap pozitiv nëse në fund ia dalin të lënë pas Hungarinë.
“Nuk kam pasur mudësinë të luaj me Brojën. Kam pasur mundësinë të luaj me Manajn, me Uzunin, me Balajn. Besoj që në të ardhmen, duke filluar ndoshta edhe në këto dy ndeshjet e radhës që mund të jem partner sulmi me Brojën ose mund të luajmë tre përpara.
Kështu që do ta shikojmë në fushën e lojës. Patjetër që Broja tani nuk ka nevojë për koment se çfarë kualiteti ka. Besoj që është një potencial që do na ndihmojë shumë, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen.
Gjithmonë kur kam dhënë intervistë në lidhje me grupin tonë kam thënë që ne duhet të bëjmë një hap përpara. Hapi përpara sado i vogël qoftë, e rëndësishme është të jetë pozitiv. Në momentin që ne do lëmë Hungarinë mbrapa kemi bërë një hap pozitiv“, ka thënë Sokol Cikalleshi./Sport Ekspres/