Ditën e djeshme i gjithë futbolli turk u shokua kur u mor vesh për infektimin e plot 12 pjesëtarëve të klubit të Akisarspor. Ky lajm trembi jo pak edhe tifozët shqiptarë, pasi në ekipin nga Izmiri aktivizohet sulmuesi i kombëtares sonë, Sokol Cikalleshi. Mbrëmjen e djeshme sulmuesi ka reaguar në “Instagram”, duke u shprehur se nuk është mes të infektuarve dhe i dhënë forcë shokëve të tij të prekur nga Covid-19.
“Çfarë nuk na vret, na bën më të fortë. Sot ka qenë një ditë, ku jemi zgjuar të shokuar nga lajmi se 12 persona tek klubi janë infektuar me Covid-19. Të prekurit, 3 lojtarë, 2 trajnerët dhe 7 pjesëtarët e klubit janë karantinuar. Unë nuk jam njëri nga të prekurit.
Të gjithë po presim rezultatet e testit të dytë ku besojmë se situata nuk do të përkeqësohet. Nesër na pret ndeshja e parë pas pandemisë ku do të dalim në fushë më të fortë se kurrë. Për veten, por më shumë për pjesëtarët e prekur të familjes sonë të madhe”, shkruan bomberi kavajas. /vipsport/