Çiklistët e Vllaznisë kanë dominuar sërish edhe në garën e rradhës, etapën e parë të kupës “Mishel Cico”. Ndonëse ajo realisht është fituar nga një korçar, fituesit e vërtetë janë dy çiklistët e Vllaznisë, Bruno Kola e Kledison Cani ndërkohë që menjëherë pas tyre kanë qenë edhe pjestarët e tjerë të ekipit shkodran. Fitues i etapës së sotme ka qenë Pandeli Bajlozi. Ai është shkëputur në metrat e fundit para finishit duke e prekur i pari atë dhe duke lënë në vend të dytë dhe të tretë çiklistët e Vllaznisë Bruno Kola dhe Kledison Cani. Etapa e parë e kësaj kupe ka qenë ajo me itinerar Pogradec- Korçë, e gjatë 38 km.

Në maloren e Qafë- Plloçës janë shkëputur katër sportistë, Kola e Kronaj të Vllaznisë, Goga i Apolonisë dhe Aliaj i Teutës. Por ata janë kapur nga grupi tjetër i çiklistëve në zbritje dhe sëbashku kanë pedaluar në drejtim të Korçës. Pikërisht pa hyrë në këtë qytet, Pandeli Bajlozi është shkëputur nga pjesa tjetër e çiklistëve dhe ndoshta është nënvlerësuar nga të tjerët dhe kjo ka bërë që përfaqësuesi i ekipit të Skënderbeut të prekte i pari finishin e kësaj etape me kohën 56’45”. mE 20 sekonda vonesë ka mbërritur Bruno Kola i Vllaznisë dhe menjëherë pas tij, Kledison Cani po i këtij ekipi me një sekondë më shumë, duke plotësuar kësisoj edhe treshen e fituesve të saj. Menjëherë pas përfundimit të kësaj etape, është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe e kupës për fituesin e saj. Në këtë ceremoni përveç presidentit të FSHÇ-së kanë marrë pjesë edhe drejtues të Prefekturës dhe të Bashkisë Korçë, drejtues të klubit Skënderbeu dhe shumë sportdashës që kanë duartrokitur fituesin e kësaj etape. Kupa “Mishel Cico” do të zhvillohet me tre etapa teksa ditën e nesërme zhvillohet etapa e dytë, ajo me itinerar, Korçë- Podgorije- Zvezd-Zëmblak- Korçë, e gjatë 80 km.
Fituesit e etapës së parë:
1.Pandeli Bajlozi (Skënderbeu)    56’45”
2.Bruno Kola    (Vllaznia)            57’05”
3.Kledison Cani (Vllaznia)            57’06”

© shkodrasport.com