Ditën e djeshme është zhvilluar etapa e tretë dhe e fundit për trofeun “Korça”, i organizuar ky nga Bashkia e këtij qyteti në bashkëpunim me Sportklub Skënderbeun dhe Federatën Shqiptare të Çiklizmit.

Karakteri i kësaj etape ka qenë kryesisht malor, çka e bënte edhe më interesante garën.

Ajo në fakt është dominuar nga çiklistët e Vllaznisë. Gjatë saj, ka patur dy shkëputje të tyre, fillimisht e Sion Gjokës dhe më pas e Gjergj Zefit.

Të dy ata janë bashkuar sëbashku dhe kanë pedaluar fuqishëm drejt mbërritjes duke krijuar një diferencë me pjesën tjetër të sportistëve.

Nga ana tjetër, Bruno Kola ka arritur edhe ai të shkëputet nga grupi i madh i çiklistëve dhe është vënë në ndjekje të dy shokëve të ekipit.

Megjithatë, ata kanë mbërritur të parët në finish. I pari e ka prekur atë Sion Gjoka që është shpallur edhe fitues i kësaj etape.

Në vend të dytë është renditur Gjergj Zefi ndërsa i treti ka ardhur Bruno Kola.

Pjesa tjetër e çiklistëve ka ardhur disa minuta më prapa, çka tregon më së miri për diferencën që sportistët e Vllaznisë kanë treguar edhe në këtë garë teksa janë shpallur fitues të saj.

Në këtë mënyrë edhe trofeu “Korça” u shoqërua me një dominim të sportistëve kuqeblu të cilët tashmë do të përgatiten për garat e Kampionatit Kombëtar që zhvillohen në fillim të muajit korrik.
www.shkodrasport.com