Ditën e premte në Tiranë do të zhvillohet aktiviteti i rradhës për çiklizmin shqiptar. Bëhet fjalë për “Kupën e Çlirimit”, që Federata do të organizojë me rastin e festës së çlirimit të kryeqytetit shqiptar. Në këtë kupë do të marrin pjesë çiklistët më të mirë të vendit të cilët do të kenë një garë shumë të fortë ngaqë bëhet fjalë për një etapë me karakter malor tek nisja është nga Tirana, për të shkuar deri në Elbasan dhe për të mbërritur në majën e Malit të Krrabës.
Ekipi i Vllaznisë ka kohë që përgatitet për këtë aktivitet dhe sipas trajnerit Leonat Kola, kuqeblutë do të përfaqësohen me gjashtë sportistë. Bëhet fjalë për Bruno Kolën, Astrit Kronajn, Kledison Canin, Alfons Rrashkadolin, Sion Gjokën dhe Gjergj Zefin. Padyshin që edhe për këtë garë objektivi i këtyre sportistëve është fitorja si në aspektin individual ashtu edhe në atë ekipor. Një sukses edhe në “Kupën e Çlirimit” do të ishte mbyllja e duhur për vitin 2017 në të cilin janë zhvilluar deri më tani nëntë gara dhe çiklistët e Vllaznisë i kanë fituar të gjitha ato. Padyshim që edhe e dhjeta pritet të fitohet nga ato sepse nuk ka si të jetë ndryshe. Elementi që përbën këtë ekip dhe puna sistematike e bërë në stërvitje, janë arsyet kryesore pse besohet tek suksesi i rradhës. Çiklizmi shkodran në këtë mënyrë po ecën në rrugën e duhur drejt rikthimit në nivelet më të larta të tij dhe padiskutim që është e vështirë të rikthehet periudha e Tafilëve dhe Sykjes por e rëndësishme është që ky sport të jetë elitar sërish sepse në Shkodër është zhvilluar gara e parë në vitin 1920, në Shkodër është zhvilluar Rrethi i Parë Çiklistik i Shqipërisë por edhe i Europës për amatorë më 1925 dhe në Shkodër kanë dalë kampionë të mëdhenj dhe nuk ka pse ky qytet të mos vazhdojë të nxjerrë sërish kampionë.
© shkodrasport.com