Ndonëse temperaturat e këtyre ditëve të janarit kanë qenë të ulëta dhe kushtet atmosferike jo shumë të përshtatshme, çiklistët e Vllaznisë kanë vijuar me përgatitjet e tyre. Pas përfundimit të përgatitjes fizike, tashmë fokusi është përqendruar tek stërvitja në biçikletë.
Ne ndoqëm një seancë të pasdites së djeshme të këtij ekipi dhe sigurisht që evidentuam dëshirën e madhe të sportistëve të rinj për të bërë më të mirën e tyre në këtë seancë.
Trajneri Leonat Kola vazhdon të punojë me përkushtimin e tij të madh, ndërkohë që bashkë me të në këtë seancë ishte i pranishëm edhe mjeshtri i mirënjohur Brahim Syka. 10 çiklistët pjestarë të këtij ekipi që përfshijnë të tre kategoritë, atë të të rriturve, juniorë dhe kadetë, kanë zhvilluar seancën e rradhës në drejtim të Koplikut, kuptohet në distanca të ndryshme sipas grupmoshave.
Ajo që bie në sy është se përveç emrave tashmë të njohur të këtij ekipi si Bruno Kola, Astrik Kronaj, Gjergj Zefi, Dëfrim Dholla etj, atyre u janë bashkuar edhe disa djem të rinj të cilët kanë shumë dëshirë të ndjekin rrugën e tyre.
Vllaznia është duke u përgatitur për garën e parë të këtij viti, atë që do të zhvillohet në muajin shkurt në Fier, ku padyshim që do të synojnë zënien e vendit të parë.
© shkodrasport.com