Çiklistët shkodranë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë edhe në aktivitetin e rradhës, kupën- Memorial kushtuar ish- trajnerit të Burrelit Xhemal Tusha.
Ka spikatur mbi të gjithë çiklisti Servet Kastrati i cili në kategorinë kadetë ka dalë sërish i pari duke u shkëputur nga të gjithë çiklistët e tjerë dhe duke mbërritur i pari në Burrel.
Në kategorinë juniorë, ka bërë një paraqitje shumë të mirë çiklisti Mateo Balaj i cili deri në fund ka qenë i shkëputur me dy çiklistë të tjerë dhe në finish është renditur i treti duke u ngjitur kështu në podium edhe ai.
Gara e të rriturve ndërkohë ka patur më shumë rivalitet. Që në Mamurras janë shkëputur një grup prej tre çiklistësh dhe pikërisht Gjergj Zefi i Vllaznisë, Marolino Hoxha i Apolonisë dhe Drini Çaushi i Tiranës.
Çiklisti shkodran Zefi ka bërë një pedalim të shkëlqyer dhe në maloren e Ulzës ka arritur t’i shkëputet dy rivalëve të tij duke pedaluar i vetëm drejt Burrelit, por 1.5 kilometra para mbërritjes, ka patur një problem shëndetësor që i ka kushtuar kësisoj humbjen e vendit të parë.
Pavarësisht këtij fakti, paraqitja e ekipit të Vllaznisë në këtë aktivitet ka qenë e mirë dhe ndërkohë sipas trajnerit Leonat Kola tashmë çiklistët shkodranë do të përgatiten për Turin e Shqipërisë që zhvillohet në fund të këtij muaji./SHKODRA-SPORT.COM/