Rocco Vata i është bashkuar përfaqësueses së Irlandës për ndeshjet e Ligës së Kombeve që ajo do të luajë në ditët e ardhshme. Djali i ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, ka vendosur që të luajë me irlandezët, të cilët i ka përfaqësuar prej vitesh me ekipet e moshave, përballë heshtjes së FSHF-së e cila u kujtua vetëm këtë muaj pasi i dërgoi një ftesë për dy miqësore me U21.

Fakti që luan prej vitesh me Irlandën, nga ka origjinën e ëma e tij, ka bërë që Rocco të ambientohet shpejt me përfaqësuesen në fjalë ku shihet që tani si një element që do t’i bëjë shumë punë asaj në vitet në vijim, sidomos nëse vazhdon të paraqitet me të njëjtin ritëm siç po bën te Uotford në Angli.

Në ditët e para të grumbullimit të Irlandës, ai është pyetur, ashtu si të gjithë futbollistët e tjerë, se cila ishte gjëja më e mirë që kishte Irlanda sipas tij, në një video që është publikuar më pas në rrjetet sociale nga vetë Federata e Irlandës.

“Houth!”, përgjigjet djaloshi pasi mendohet pak. “Pasi prej aty është familja ime”, tha ai, duke kujtuar fshatin e vogël në periferi të Dublinit nga vjen familja e të ëmës. Një nga arsyet pse ai zgjidhi të luante për Irlandën.